“Ilir floriri”/ Artan Hoxha nxjerr detajet tronditëse për grabitjen e thesarit të Krrabës

589

Vjedhja e thesarit të shtetit në Tunelet e sigurisë së lartë në Krrabë mbetet një nga ngjarjet më të bujshme në Shqipërinë Post Komuniste. 280 kg ar rezultojnë të grabitura nga ai tunel. Mënyra e vjedhjes dhe autorët e vërtetë akoma mbetën një enigëm e pazgjidhur.

Së pari duhet thënë se sasia e arit shqiptar në thesarin e shtetit deri në vitet ’90 ruhej në tunelet sekrete në zonën e Skraparit. Por Këshilli i Mbrojtjes Kombëtare, e lëvizi këtë thesar në tunelin pranë fshatit Krrabë, në afërsi të Tiranës, në vitin 1992.

“Menjëherë pasi ka ardhur në pushtet Partia Demokratike, ish – presidenti Berisha në atë kohë, ka urdhëruar që në mënyrë të menjhershme një nga veprimet e para që duhej të bënte ishte zhvendosja e thesarit të shtetit nga Tunelet e Skraparit. Skrapari njihej si një zonë ekstremisht e majtë. Thesari do sillej në Tiranë dhe të mbahej nën kontroll”, tha për Top Story gazetari Artan Hoxha.
Në vendim thesari ishte koduar me emrin “celiku”, ndërsa vendi në të cilin ai do të ruhej, pra tuneli, me emrin “Lumi”.

Arsyeja se përse u bë kjo lëvizje nga Skrapari për në Krrabë, akoma mbetet e paqartë. Nëse i referohesh dokumentave të kohës dhe dinamikës së ngjarjeve që ka zbardhur gjykata të bëjnë përshtypje disa fakte.

Nga viti 1992 deri në vitin 1996, nuk ka patur asnjë rregullore apo vendim për mënyrën e ruajtjes së thesarit.

“Çudi të bën fakti që si është e mundur që ishin marrë aq pak masa për të ruajtur thesarin. Ne sigurisht nuk e dinim në atë kohë, por kur shpërtheu skandali, diku në vitin 2000 dhe filluam të kërkonim informacion, më dukej e pabesueshme që një pasuri aq e çmuar për popullin shqiptar dhe për shtetin shqiptar të ruhej në masa aq skandaloze sigurie. Arka të vendosura në një dhomë, të hedhura andej dhe ajo dhoma brenda tunelit, e ndarë nga dhomat e tjera me kompesatë”, tregon Artan Hoxha.

Personi që e e artikuloi për herë të parë publikisht, dhe ngriti alarmin se floriri i krrabës ishte grabitur, ishte Sali Berisha. Në vitin 2000 ai akuzonte kryeministrin e atëhershëm Ilir Meta si shkaktarin e kësaj vjedhje shtetërore.

“Nëqoftëse dikush mendon tu vjedhi shqiptarëve floririn dhe të laj duart si ponc pilati, gabon shumë rëndë, ka bërë llogaritë shumë të gabuara. Kërkoj me insistim dorëheqjen e Ilir Metës”, pat deklaruar Sali Berisha.

Këtij version zoti Berisha i qëndron edhe sot.

“Ai tjetri në fund nuk quhet Ilir Meta, por Ilir Floriri”, deklaroi Sali Berisha./ Tch