Atje ku bora është e zezë | FOTO

473

Një qytezë e tërë në Siberi është mbuluar nga bora me ngjyrë të zezë, duke alarmuar autoritetet për nivelin e ndotjes.

Për shkak të fabrikave të shumta të qymyrit në rajonin industrial të Kemerovos, qyteza Prokopyevsk nuk i ka shpëtuar pëlhurës së errët që i ka dhënë një pamje të frikshme dhe të trishtueshme. Pasi fotot u postuan në rrjetet sociale, një komentues shkroi: “Kështu duket bora në ferr?”.

Një tjetër banor ka shkruar “Ndihmë” mbi borë dhe ka postuar foton në Facebook, si për t’i bërë thirrje autoriteteve që të ndërhyjnë.

Zona e Kemerovos është e famshme për faktin që udhëheq industrinë e qymyrit në Rusi, por edhe për një prej pistave më të mira të skive, të cilat deri tani i kanë shpëtuar “ngjyrosjes”. Gjithsesi errësimi i dëborës ka bërë që prokurorët të nisin një hetim për ndotjen e ambientit, pasi mediat lokale fajësojnë fabrikat për shkelje të kushteve të punës.