Aleatët djegin mandatet, Basha: Vendimi, i paprecedent në historinë e pluralizmit

438

Pas gati një orë diskutimi në selinë e Partisë Demokratike, aleatët që përbejnë opozitën deklaruan unanimisht vendimin për djegien e mandateve. Pas takimit liderët opozitarë dolën së bashku dhe specifikuan vendimin nga këndvështrimi i tyre.

Për Lulzim Bashën, “sot ka ndodhur një akt i paprecedent në historinë 28 vjeçare të pluralizmit. Gjithë opozita ka marre një vendim për t’u bindur urdhrit të qytetarëve shqiptarë me trajtën e sovranit në protestën e 16 shkurtit. Edi Rama nuk është më kryeministri i Shqiptareve, është kapur nga prokuroria dhe demaskuar nga Zëri Amerikës si hajduti i zgjedhjeve të 2017. E ardhmja e shqiptareve nuk i përket oligarkëve por shqiptarëve të ndershëm, dhe ne jemi vendosur t’ia japim atyre këtë të ardhme”.

Kreu i Republikanëve Fatmir Mediu, theksoi se “kemi koalicion politik të hershëm me njeri tjetrin, dhe detyrim moral t’i përgjigjemi thirrjeve të qytetareve me një qëndrim të përbashkët, djegia e mandateve jo vetëm i deputeteve tonë, por edhe të atyre që kanë kandiduar nga koalicione të tjera opozitare. Jemi në situate shumë problematike”.

Foto 1/7
Kreu i PBDNJ Vangjel Dule deklaroi se “opozita parlamentare është në kushtet e realizimit të misionit të saj, që i jep fund qeverisjes ilegjitime të Edi Ramës, koalicion mbështetet nga populli për të kthyer demokracinë funksionale”.

Nard Ndoka nënvizoi faktin se gjatë protestës të së shtunës “ qytetarët folën qartë, për koalicionin opozitar por edhe për kryeministri. Është ai i pari që duhet të djegë mandatin, besoj se është moment reflektimi të zotit Rama”.

Si gjithmonë origjinal, Dashamir Shehu vijoi duke thënë se “ Sa kohë të jetë Rama aty do jemi bashkë këtu, pastaj mund të shohim diçka tjetër. Ju e patë në shesh sa ishim, do të jemi akoma më shumë”.

Agron Duka ditët përpara protestës ka qenë më i moderuar në hipotezën e djegies së mandateve, por sot thekson se “ Jam për zgjidhje institucionale, por meqë opozita ka zgjedhur, tre mandatet që kemi edhe ne do t’i djegim”.

Ndërkohë, në orën 5 takohet grupi parlamentar i LSI që do të vendosë për mandatet e saj.