Opozita me koalicion të bashkuar në zgjedhje, kërkon qeveri tranzitore

435

Sikurse kanë përsëritur vazhdimisht në javët e fundit, partitë opozitare kërkojnë formimin e një qeverie tranzitore që do të çojë vendin në zgjedhjet vendore të 30 qershorit, si e vetmja zgjidhje për përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Këtë të hënë partitë opozitare kanë marrë në duar draftin e një platforme bashkëpunimi, të përpiluar pas takimeve të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, me partitë aleate. Përmes kësaj platforme bashkëpunimi, partitë opozitare ngarkojnë atë Demokratike për të nënshkruar marrëveshje të veçanta me të gjitha partitë e tjera opozitare që do të bëhen pjesë e koalicionit.

Një tjetër kërkesë e opozitës së bashkuar është edhe realizimi i reformës zgjedhore, një çështje e debatuar së fundmi në arenën politike.

Pikat e draft marrëveshjes

Kemi vendosur daljen në një Koalicion të Bashkuar Opozitar në zgjedhjet e ardhshme në vend.
Rruga e vetme për të garantuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme, është formimi i një Qeverie Tranzitore, me mandat të posaçëm për:

• përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri;
• realizimin e Reformës Zgjedhore dhe ndjekjen e zbatimit të saj, me fokus të veçantë shkëputjen e lidhjes mes politikës dhe krimit, luftën ndaj fenomenit masiv të blerjes së votave, intimidimit kriminal mbi zgjedhësit, si dhe eliminimin e pabarazisë mes partive politike pjesëmarrëse në zgjedhje;
• krijimin e klimës së besimit për zbatimin e Reformës në Drejtësi, jashtë çdo ndërhyrje politike;
• krijimin e kushteve të nevojshme për të përshpejtuar nisjen e negociatave të Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe ndërmarrjen e çdo Reforme të nevojshme për këtë qëllim.
Rikonfimojmë vullnetin tonë se Integrimi Europian i Shqipërisë është rruga e vetme për t’i dhënë fund tranzicionit të tejzgjatur, dhe se shprehim gatishmërinë tonë të plotë për të ndërmarrë çdo hap që bën realitet rrugëtimin e pandalshëm e të shpejtë të Shqipërisë në familjen europiane.
Jemi të vendosur për të ndërmarrë çdo aksion politik, institucional apo ligjor, për realizimin e kushteve që sigurojnë zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe për t’i dhënë fund kapjes së qeverisjes dhe zgjedhjeve nga krimi i organizuar dhe paratë e pista të krimit dhe korrupsionit.

Platforma e Bashkëpunimit do të fillojë të zbatohet pas miratimit të saj nga organet statutore përgjegjëse të partive politike nënshkruese, sipas Statutit të tyre.