“Dajti”, Lleshaj: Gjyqtarët e kanë vendin prapa hekurave. Gjonaj: Aferë korruptive

443

Me anë të dy ministrave, të Drejtësisë dhe të Brendshëm, Qeveria ishte e ashpër në reagimin e sotëm në lidhje me vendimin e gjykatës ndaj Dritan Dajtit, i cili i shpëtoi dënimit me burgim të përjetshëm.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, në deklaratën e saj për mediat u shpreh mbi këtë vendim kemi të bëjmë me një aferë korruptive, ndërsa theksoi se Ministria e Drejtësisë do i drejtohet KLGJ-së për procedimin disiplinor të gjyqtarëve për këtë rast të paprecedent.

“Kemi të bëjmë me një aferë korruptive. Skandal i patolerushëm i gjyqtarëve. Ndajmë me publikun revoltën e çdo qytetari. Ky vendim ka ardhur nga elementë ku ende nuk ka arritur procesi i vettingut. Vendimi rrezikon që të krijojë një precedent të rrezikshëm.
Qeveria nuk synon vendosjen e kontrollit mbi drejtësinë, por në raste të tilla papërgjegjshmëri nuk mund të rrijë pa reaguar në të gjitha format ligjore. Kjo drejtësi në reformim e sipër, na vendos të gjithëve në një pozitë të vështirë. Vetëm përfundimi i zbatimit të reformës në drejtësi dhe pastrimi nga ata që ulën dënimin për vrasësin e katër policëve është rruga për të ndaluar këto vendime të paligjshme. Ministria e Drejtësisë do i drejtohet KLGJ-së për procedimin disiplinor të gjyqtarëve për këtë rast të paprecedent”, tha ministrja Gjonaj.

Ndërkohë, vetëm pak pas deklaratës së Gjonajt ishte ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj që foli për të njëjtën çështje, ku u tregua edhe më i ashpër.

Ai shkoi deri aty sa u shpreh se gjyqtarët që kanë marrë atë vendim meritojnë të shkojnë pas hekurave.

“Një vendim kriminal nga disa gjyqtarë që meritojnë plotësisht t’u bashkohen prapa hekurave klientëve të tyre. Operacioni “Forca e Ligjit” është vënë në veprim të plotë për të adresuar me të gjithë forcën e së drejtës atentatin e qartë, brutal dhe skandaloz që i është bërë drejtësisë në vendin tonë, sakrificave të panumërta dhe gjakut të derdhur nga qindra punonjës të Policisë së Shtetit shqiptar përgjatë tri dekadave të fundit.

Gjyqtarët meritojnë të shkojnë pas hekurave
Nuk mund dhe nuk do të ketë paqe në shpirtin e Policisë së Shtetit, por as edhe tek unë si Ministër i Brendshëm, derisa ky vendim, jo vetëm të zhbëhet nga Gjykata e Lartë, por edhe derisa autorët e këtij akti të pashembullt dhe fyes për gjakun e gjithë dëshmorëve të PSH të përballen me ligjin dhe drejtësinë e vërtetë”, tha Leshaj.

Ministri foli edhe për politikanët, të cilët i quajti monstra që përpiqen të keqpërdorin dhe të kthejnë në armë kundër qeverisë vendimet e disa gjyqtarëve.

“Po aq të çmendura janë edhe reagimet e monstrave politike që përpiqen të keqpërdorin dhe të kthejnë në armë kundër qeverisë vendimet e disa gjyqtarëve, që ata vetë i kanë ushqyer gjatë viteve të qeverisjes së tyre në simbiozë me një sistem drejtësie të korruptuar dhe me rrjete e grupe kriminale që u rritën nën hijen e tyre.

Unë siguroj qytetarët shqiptarë dhe familjarët e dëshmorëve të Atdheut nga radhët e Policisë së Shtetit, se përgjigja e institucioneve do të jetë e fortë, ligjore, në përpjesëtim të drejtë dhe në respekt të plotë me thirrjen që buron nga amaneti i atyre burrave të Policisë së Shtetit shqiptar që dhanë jetën për një Shqipëri më të sigurt dhe më drejtë”, tha Lleshaj.