Spiropali shfaqi prindërit e vajzës së përdhunuar, “vlojnë” rrjetet sociale

484

Kryeministri Rama publikoi në ERTV vizitën e ministres Elisa Spiropali te familjarët e vajzës së mitur që përdhunua në Kavajë. Në video prindërit luten për respektimin e privatësisë së vajzës. Por publikimi i fytyrës se prindërve shkaktoi një reagim të fortë në rrjetet sociale, që u hodhën në sulm ndaj Elisa Spiropalit.

Kryetarja e Komisionit te Edukimit, demokratja Albana Vokshi reagoi duke kërkuar bllokimin e videos nga kryeministri Rama dhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike. Më pas Vokshi tha se refuzonte ta quante “Kryeministër atë që bën politikë me një viktimë përdhunimi, e më pas përçudnon ata që e denoncojnë për të fshehur gjurmët e krimeve të tjera të tij”.

Drejtori i Komunikimit në Kryeministri Endri Fuga tha se ata politikane dhe media që shfaqen të indinjuar për vizitën e Spiropalit tek familjaret e vajzës në Kavajë janë “pikërisht arsyeja pse prindërit e vajzës vendosën të dilnin hapur” me atë mesazh të drejtpërdrejtë në ERTV.

Ky postim u shpërnda dhe nga kryeministri Rama, i cili në “Twitter” i quajti lehje reagimet në FB. Sipas tij kjo vjen ngaqë njerëzit më shumë besojnë qeverinë se ata që për të janë hiena të politikës e të medias. “Po mos të ishin vrasësit, përdhunuesit, grabitësit, krimet e fatkeqësitë, ju s’do ekzistonit, se s’keni hiç tjetër për t’u dhënë njerëzve veç helmit e vrerit”.