Ndahet nga jeta shkrimtari i njohur Kiço Blushi

504

Skenaristi dhe shkrimtari i madh Kiço Blushi ndahet nga jeta para kohe në moshën 75-vjeçare. Kiço Blushi është i ati i politikanit dhe shkrimtarit Ben Blushi.

Kush ishte Kiço Blushi

Kiço Blushi ka lindur në qytetin e Korçës në 23 gusht të vitit 1943. Pas mbarimit të studimeve të larta për letërsi shqipe dhe ruse filloi punën si redaktor pranë Radio Televizionit Shqiptar dhe në vitin 1974 kalon si redaktor në Kinostudion “Shqipëria e Re”.

Skenari i tij i parë ishte ai i filmit “Çifti i lumtur” në vitin 1975 si bashkëautor. Me skenarin e filmit “Beni ecën vetë” në vitin 1975 u vlerësua me Çmimin e Republikës së Klasit të III-të. Ka shkruar 14 skenarë filmash artistikë dhe dy skenarë filmash dokumentarë dhe vizatimorë.

Më 20 shkurt të vitit 1991 thirret nga Presidenti Ramiz Alia që të marrë pjesë në Këshillin Presidencial. Nga viti 1991 deri në vitin 2006 ka qënë deputet i Kuvendit të Shqipërisë për Partinë Socialiste.

Me dorëheqjen nga posti i Kryetarit të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Publik Shqiptar, u largua nga politika aktive. Shkrimtari mbante postin e kryetarit të bordit drejtues në Qëndrën Kombëtare të Kulturës.