Asambleja e Pedagogëve të Filologjikut vendos: Protestë një ditë në javë kundër ligjit të arsimit të lartë.

433

Asambleja e Pedagogëve të Filologjikut vendosi sot që protesta të vijojë një ditë në javë, pa limit deri në plotësimin e kërkesave të tyre, kryesoja shfuqizimi i ligjit të arsimit të lartë. Dekani i Filologjikut Sabri Laçi sqaroi se sot, nesër, pasnesër dhe ditën e hënë të javës që vjen do të vijohet me bojkot dhe protestë, ndërsa të martën do të rikthehen në auditorë. Ndërkohë që më pas protesta do të vijojë njëherë në javë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
“Sot, nesër dhe pasnesër protestë në mjediset e fakultetit, do të thotë se do të jemi të gjithë në institucion, por duke mos bërë mësim. Do ta përvijojmë këtë formë proteste një ditë në javë. Të hënën e javës së ardhshme sërish protestë, të martën më pas e do të vijojë mësimi. Por protesta do të jetë një ditë në javë pa limit deri sa të gjejmë zgjidhje për respektimin e autonomisë universitare, lirisë akademike dhe zgjidhjen e problemeve të tjera që ndërthuren me ligjin e arsimit të lartë. Nuk ka predispozcion nga qeveria për të ndërhyrë për ndryshime thelbësore në ligjin e arsimit të lartë. Praktikisht kemi argumentuar gjithë problemet që ekzistojnë në ligj. Studentët kanë protestën e tyre, kjo ishte mbledhje e Asamblesë së Fakultetit” deklaroi ai.

Një pjesë e studentëve të fakultetit kërkojnë mësim, ndërsa sot pati tensione me grupin bojkotues. Por, Sabri Laçi theksoi se nuk ka kërkesë nga studentët për të rifilluar mësimin. “Studentët janë të ndarë në kategori, ka një pjesë që vijojnë protestën duke qëndruar stoikë, duke protestuar në forma qytetare. Ne i kemi të lavdërueshëm studentët, pa krijuar incidente, po protestojnë në mënyrë qytetare. Ka një kategori që janë në shtëpi dhe nuk arrijnë ta përballojnë jetën në Tiranë, ata presin që të reagojë qeveria, që të ndiejnë efektin e zgjidhjes me akte konkrete dhe zgjidhja duhet të jetë, të përjetohet. Nuk kam asnjë kërkesë nga studentët për të rifilluar mësimin, po ka studentë që duan të bëjnë. Kemi zgjedhur një grup pune për protestën dhe një tjetër për ringjallen e Sindikatës. Kjo formë proteste është pa limit, do të vijojë” përfundoi ai.