Alarmi / Digat nuk mirëmbahen, çarja e tyre rrezikon përmbytjen e disa fshatrave

514

Çarja e digave të rezervuarëve rrezikon përmbytjen e disa fshatrave.

Alarmi është dhënë sot nga ministria e Energjetikës gjatë një raportimi në parlament, ku ka paraqitur një raport për 640 digat, ku pjesa më e madhe e tyre rezultojnë jo të mirëmbajtura. Në komisionin parlamentar të veprimtarisë prodhuese ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës e ka cilësuar situatën emergjente.

Pavarësisht ndërhyrjeve të bëra deri më tani, situata konsiderohet alarmante.

Më të rrezikuar nga përmbytjet, janë zonat e banuara pranë digave të rezervuarëve.

“Ka ndërtime me leje, pa leje që e ndërlikojnë situatën. Por ai studimi që do bëhet nga Komiteti Kombëtar i Digave do përcaktojë se në cilat diga duhet ndërhyrë”, shprehet Agim Bregasi, Drejtor në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Në total janë 640 diga në të gjithë vendin dhe thuajse në të gjithë rastet rezulton se janë të amortizuara. Fondet e dhëna gjatë këtyre viteve nuk kanë dhënë efekte.

“Në dijeninë time për këto diga BB ka bërë një studim dhe është ndërhyrë në 12 diga. Do të bëhet një verifikim i gjithë situatës”.

Me ndarjen e re territoriale rezervuarët janë në administrimin e bashkive. Por për shkak të mungesës së fondeve nuk janë parashikuar investime në mirëmbajtjen e tyre.