Korça, terreni i preferuar për “skifterat”, 109 vjedhje në 3 muaj

121

Vetëm në 3-mujorin e fundit të vitit të kaluar në qarkun e Korçës janë regjistruar 109 vjedhje.

Një gjë e tillë bëhet e ditur nga zyra e shtypit pranë Drejtorisë së policisë së juglindjes e cila ka evidentuar 40 autorë, nga të cilët 13 të arrestuar në kushtet e flagrancës, 5 të tjerë ndaluar, 21 autorë ndiqen në gjendje të lirë dhe 2 persona të dyshuar si autorë të vjedhjeve të ndryshme janë shpallur në kërkim nga uniformat blu.

Nga ana tjetër vetëm në ditët e para të këtij viti janë regjistruar tri vjedhje biznesesh e banesash në Korçë, duke rikthyer kështu panikun tek biznesi në veçanti.

Vjedhjet më të shumta sipas burimeve zyrtare të policisë realizohen në shtëpitë e emigrantëve të cilat pjesën më të madhe të vitit janë të pabanuara, por grabitësit preferojnë edhe bizneset e njohura të juglindjes me aktivitet të shtuar dhe xhiro të konsiderueshme.

Sipas të njëjtave burime mësohet se është tepër e vështirë për të identifukuar autorët të cilët mendohet se nuk janë banorë të qarkut, por nuk përjashtohet mundësia që ata të kenë bashkëpunim me grupe të atyre zonave ku janë realizuar grabitjet.

Nga ana tjetër autorët janë treguar të kujdesshëm për të fshehur gjurmët, sidomos në tri grabitjet e fundit në Korçë, duke marrë serverat e kamerave të sigurisë të cilat kanë qenë të instaluara në biznese. E njëjta gjë mësohet të jetë bërë në të gjitha rastet e grabitjes së bizneseve duke vështirësuar së tepërmi punën e policisë.