Zemërimi i fetarëve grekë për emrin e Maqedonisë

439

Pamjet e protestave që u mbajtën në Greqi më 20 janar, kundër marrëveshjes për emrin e Maqedonisë, treguan se mes protestuesve kishte edhe shumë klerikë fetarë të veshur me petkun e zi të kishës ortodokse greke. Greqia kishte vite që angazhonte gjithë diplomacinë për të bllokuar anëtarësimin e Maqedonisë në NATO e BE, për shkak se pasi u ndanë nga Ish-Jugosllavia, vendi i ri vendosi të quhet Maqedoni, siç quhet rajoni verior grek prej ku Aleksandri i Madh pushtoi toka deri në Indi. Maqedonasit, ku flitet një gjuhë sllave shumë e përafërt me bullgarishten, këmbëngulnin se ishin trashëgimtarë të traditës së tij. Për këtë arsye, marrëveshja e fundit midis së majtës greke për ta lejuar fqinjin të quhet Maqedonia e Veriut, u mbështet nga shumë perëndimorë. Por jo nga drejtuesit fetarë në Greqi, dhe as nga banorët e rajonit grek të Maqedonisë, ku në fakt ndikimi i kishës është mjaft i madh. Aq sa udhëtuan deri në Athinë për të protestuar.

Ata dolën përpara policisë dhe përsëritën atë që u kanë thënë prindërit, priftërinjtë e mësuesit që në fëmijëri, që “Maqedoni” është fjalë ekskluzive dhe e shenjtë e Greqisë. Nëse lejohet ta përdorë dikush tjetër, është blasfemi. Por feja e ka kundërshtuar më shumë se kushdo. Në fakt, të 22 peshkopët e rajonit grek të Maqedonisë kanë thënë se deputetët grekë që do ta votojnë ligjin, do t’i nxijnë faqen vetes dhe emrat e tyre do të ndoten përjetësisht. Antimos, peshkopi i Selanikut, ka qenë një nga kundërshtarët më të zjarrtë.

Por pse shihet me kaq shumë emocion kjo situatë nga fetarët? Shumë prej tyre predikojnë se Maqedonia është përmendur disa herë në librin që ka themeluar besimin e tyre, Dhiata e Re, versioni origjinal i së cilës ka qenë në greqisht. Aty thuhet se apostulli Pavël kishte parë një ëndërr, kur ishte në Turqinë e sotme, sikur një maqedonas i lutej: “Eja në Maqedoni dhe na ndihmo.” Pas kësaj, pionieri i krishterë nisi ekspedita predikimi në Selanik dhe në qytetin e Verias. Sipas klerikëve grekë, kjo është pjesë e historisë helene.

Por nuk është nevoja të shkohet deri te Dhiata e Re apo te trashëgimia e Aleksandrit të Madh, i cili daton para krishterimit, për të kuptuar se pse çështja e Maqedonisë ka një dimension aq të fortë fetar. Nuk është nevoja, sepse për këtë mund të shohim historinë moderne. Çështjen e Maqedonisë e ndezi një konflikt i përgjakshëm në rajon, në fund të shekullit të 19-të e në fillim të shekullit të 20-të, e që pushtoi gjithë Ballkanin jugor. Në këtë kohë po bëhej e qartë që Maqedonia osmane, një nga skajet e fundit të tokave evropiane të sulltanit, shumë shpejt do të shkëputej nga kontrolli turk. Kush do ta merrte pushtetin pas kësaj? Greqia? Bullgaria? Serbia? Gara drejtohej nga luftëtarë të çrregullt, që nuk pyesnin për jetën e civilëve.

Të paktën në sipërfaqe, konflikti nuk drejtohej nga proto-shtetet konkurruese, por nga peshkopët rivalë, të cilët kishin fituar autoritet shumë të madh personal nën sundimin osman. Komunitetet e përfshira në konflikt duhej të zgjidhnin nëse do t’i qëndronin besnikë kishës bullgare, apo peshkopëve grekë që vareshin nga Patriarkati i lashtë i Kostandinopojës, në Stamboll. Pas vitit 1904, kur luftërat guerrilase u bënë edhe më të ashpra, udhëheqësi që binte më shumë në sy nga ana greke ishte Peshkop Germanos Karavangjelis, i cili nxitej nga shteti grek, që shpresonte t’i shtonte ato toka në territorin e vet. Ky episod përshkruhet me shumë admirim nga letërsia greke dhe nga ndërgjegjja kolektive, madje edhe fakti që klerikët fetarë po drejtonin çeta me luftëtarë jo të rregullt.

Pas disa përplasjeve të shkurtra, territori i Maqedonisë osmane u nda midis Greqisë, Bullgarisë dhe Serbisë, duke krijuar kufij të ngjashëm me të sotmit. Më pas, Greqia u pushtua nga lufta civile, nga viti 1946 e deri në 1949-ën, kur një ushtri e drejtuar nga komunistët u përball me forcat pro-qeveritare, të mbështetura nga Britania, fillimisht, e më pas nga Amerika. Një segment shumë i rëndësishëm i forcave komuniste vetë-identifikoheshin si sllavë. Shumë prej këtyre kishin marrë armët që gjatë pushtimit nazist, gjatë rezistencës së dominuar nga e majta, dhe çështja e tyre zhvillohej në kufirin midis Greqisë dhe Jugosllavisë. E djathta greke, e cila kishte mes tyre drejtues të kishës ortodokse, i demonizoi forcat komuniste duke i quajtur tradhtarë në shërbim të ambicieve territoriale të sllavëve. Në fakt, për antikomunistët grekë të asaj periudhe, të shtyrë fort nga klerikët fetarë, të ishe kundër sllavëve e t’i shihje popujt e tyre si kërcënim komunist, ishte e barasvlershme me të qenit patriot. Për këtë arsye, kur priftërinjtë e sotëm akuzojnë të majtën se po shet vendin te sllavët, këto fjalë të sjellin shumë gjëra në kujtesë.

Ndërkohë, edhe sllavët komunistë, të cilët kishin ateizmin si ideologji zyrtare, kryen disa manovra nga ana e tyre që përfshinin nacionalizmin, fenë dhe politikën fetare. Pasojat ndihen edhe sot, në vitin 2019. Jugosllavia komuniste, e cila i kishte prishur marrëdhëniet me bllokun sovjetik që në vitin 1948, e nxiste republikën e saj jugore të Maqedonisë që të vendoste një identitet të dallueshëm maqedonas, në mënyrë që ta shkëpuste veten nga Bullgaria, e cila i qëndronte besnike Moskës. Si pjesë e kësaj taktike, në vitin 1967 u themelua një kishë ortodokse e vetëqeverisur, me mbështetje në hije nga autoritetet marksiste. Sot, ajo kishë, një trashëgimi e politikave komuniste, kundërshton çdo lloj marrëveshjeje me Greqinë dhe këmbëngul se nuk do të pranojë kurrë që ta ndryshojë emrin.

Sigurisht, ka kaluar shumë kohë që nga Lufta e Ftohtë e nga përplasjet për Maqedoninë në fillim të shekullit të njëzetë, le më nga koha e apostullit Pavël apo ajo e Aleksandrit të Madh. Sot mund të ngrihet pyetja nëse ka ardhur koha që të falen e të harrohen konfliktet, sidomos nga drejtuesit fetarë, parimet e të cilëve bazohen te paqja, pendimi dhe dhembshuria për të tjerët.

Të paktën nga ana greke, përgjigjja ndaj kërkese mund të jetë si vijon: Gjatë shekullit të njëzetë, Greqia pa shumë konflikte të brendshme. Liberalët kundër monarkistëve; komunistët kundër pro-perëndimorëve; kolonelët kundër politikanëve demokratikë, etj. Për këto arsye, grekët e sotëm e idealizojnë luftën që u krijua 100 vite më parë për Maqedoninë osmane. Ajo kohë kujtohet si periudha kur të gjithë grekët ishin të bashkuar për kombin, që nga peshkopët e armatosur me banda, diplomatët e sofistikuar e deri te fermerët analfabetë. Dhe në kohët e sotme, kur mesazhet shpirtërore janë të vështira për t’u përçuar, klerikët e vitit 2019 duken shumë mbrojtës të kësaj trashëgimie. /Erasmus/