Siguria, jemi në fund të Europës – Indeksi global i sigurisë 2019, përkeqësim i ndjeshëm në një vit

433

Shqipëria renditet në vendin e fundit në rajon, si dhe e 69-ta në botë, ndër 128 shtete në indeksin global të sigurisë 2019 të publikuar nga revista “Global Finance”. Pavarësisht se e publikon një revistë e specializuar në financa, indeksi bazohet mbi kritere të tjera, si; siguria personale, lufta dhe paqja si dhe fatkeqësitë natyrore. Ajo që duket më alarmante është fakti se, Shqipëria është vend i 4-t më pak i sigurtë në Europë, më mirë vetëm se Rusia, Ukraina dhe Turqia, me këtë të fundit që prej vitesh tashmë është përfshirë në një valë destabiliteti në drejtim të sigurisë publike.

Ukraina ndërkohë është një vend në konflikt ende të hapur ushtarak. Maqedonia, Serbia dhe Bosnje Hercegovina ndërkohë janë bindshëm më mirë se vendi ynë në këtë renditje. Mali i Zi dhe Kosova nuk janë marrë fare në analizë. Vitin e kaluar, Shqipëria renditej në vendin e 52-të në botë, çka përkthehet në 17 pozicione rënie në klasifikim. Madje, një vit më parë, Shqipëria linte pas në renditje vende si Serbia, Franca apo Qipro, Mali i Zi dhe Mbretëria e Bashkuar, sa për të përmendur disa.

Ndër të tjera, një vit më parë, analizoheshin në total 163 shtete, dhe jo 128 si këtë vit. Përkeqësimi në renditje mund të jetë edhe rrjedhojë e ndryshimit të metodologjisë së matjes. Këtë vit janë hequr kritere si ai i nivelit të militarizimit të vendit. Islanda, Zvicra dhe Finlanda janë tre vendet më të sigurta në botë thotë indeksi, ndërkohë që nga krahu i kundërt i tabelës, janë: Guatematala, Jemeni dhe Filipinet.