Kristo: Protesta ishte aq e bukur sa të gjithë u turrën ta kapnin

420

Mëngjesit të A2 iu bashkua pedagogu dhe aktivisti Erion Kristo, personazh i dashur për betejat e tij për ndërgjegjësimin e shoqërisë shqiptare.

I pyetur për efektet që protesta e studentëve po i dhuron shoqërisë shqiptare, Kristo tha që “ protesta është lubrifikanti i demokracisë, dhe kjo e fundit ishte vërtetë e jashtëzakonshme. Në vitet ’90, nuk ishin të pakët ata që ishin kundër protestave, për shembull komunistët. Sot pak a shumë të gjithë kanë qenë pro studentëve”.

Por a po rrezikon të zbehet protesta? “Protesta ishte aq e bukur sa gjithë u vërsulën ta kapin, si ato gocat e bukura të cilave i vërsulen X6-at përballë shkollës” , godet me metaforën fytyra e njohur e ekraneve, që vazhdon me “opozita duhet të kishte një rol sublim, ndërsa deri më tani është sjellë në mënyre që do të cilësoja si rrugaçe”.

Kristo nënvizon faktin që fillimet e protestës kishin ngjallur shpresën e një revoltë të përgjithshme ndaj padrejtësive të këtyre viteve të transicionit, “njerëzit jashtë vendit qanin nga emocioni”, por që shoqëria shqiptare nuk e mbështeti siç duhet, dhe tani ajo i është rikthyer dimensionit të saj specifik dhe më të kufizuar.