Temperatura deri në -22 gradë, Erseka e zonat malore të juglindjes me sytë nga qielli

453

Aksi rrugor Korçë-Ersekë mbetet një nga rrugët më të vështira në juglindje të vendit.

Në kushtet e një moti me rreshje bore e ngrica për shkak të temperaturave tepër të ulëta që shkojnë deri në -22 gradë në Ersekë, policia e qarkullimit rrugor apelon për drejtuesit e mjeteve të bëjnë kujdes gjatë qarkullimit në këtë aks si dhe të përdorin zinxhirët gjatë mbrëmjes dhe në orët e para të mëngjesit.

Drejtuesit e mjeteve që vijnë nga Erseka drejt Korçës pranojnë se rruga është e kalueshme por nga ana tjetër thonë se duhet të përdoret edhe më tepër kripë, pasi ka segmente të kësaj rruge të cilat janë të vështira për shkak të pjerrësisë së madhe dhe amortizimit.

Akoma edhe më e vështirë situata është në zonat e thella malore të Bashkisë së Kolonjës, aty ku në fshatrat e thella nuk është bërë asnjë ndërhyrje për pastrimin e borës. Banorët që vijnë nga këto zona tregojnë se e kanë pasur shumë të vështirë të qarkullojnë.

Njësitë malore të juglindjes vazhdojnë të mbeten në vështirësi.

Dardhasi e Velçani në Pogradec, Lekasi e Vithkuqi në Korçë, Mirasi në Devoll si dhe njësitë administrative Çlirim e Barmash në Kolonjë kanë pasur sasinë më të madhe të rreshjeve dhe temperatura tepër të ulëta çka kanë shkaktuar probleme në qarkullimin e banorëve si edhe furnizimin me energji elektrike.