Ja cilat janë profesionet që do të kërkohen dhe do të paguhen më shumë në Shqipëri në 2019-ën.

592

Sipas EPPC Albania & Kosovo, kompania e rekrutimeve dhe trajnimeve, ka përgatitur pas kërkesës së Monitor një guidë me pozicionet më të kërkuara nga drejtues në specialist dhe punonjës të pakualifikuara dhe pagat përkatëse.

Pozicionet drejtuese më të kërkuara gjatë 2018 kanë qenë: (1 më i kërkuari, 5 më pak i kërkuari)

1. Drejtor Shitjesh;

2. Drejtor Marketingu;

3. Drejtor Finance;

4. Drejtor Prodhimi/Operacionesh/Logjistike;

5. Drejtor i Përgjithshëm. (CEO)

Pagat për nivelin drejtues (CEO-1, më lartë nga numri 1 tek 4) luhaten nga 150,000 Lekë neto në 300,000 – 450,000 Lekë neto. Paga e tyre luhaten nga industria ku punojnë, kompleksiteti i përgjegjësive, etj. Ndërsa paga e Drejtorit të Përgjithshëm (CEO), është përafërsisht dy herë më e lartë sesa e drejtuesve CEO-1. Kjo kategori (CEO dhe CEO-1) nuk ka pasur rritje domethënëse gjatë 2018 në pagën fikse, por ka është vënë re rritje objektivi ose vendosje objektivash shtesë për pagesë variabël (që njihet si bonus), i cili është në varësi të rezultateve të matshme.

Punët në nivel specialisti

Punët në nivel specialistësh kanë pasur kërkesë të lartë gjatë vitit 2018. Pagat e tyre vazhdojnë të rriten dhe këtë vit kanë qenë rreth 5-10% më të larta se një vit më parë. Pagat luhaten nga 40,000 Lekë neto në 100,000 Lekë neto.

Pozicionet më të kërkuara gjatë 2018 kanë qenë:

1. Shitës në terren;

2. Specialistë marketingu;

3. Specialistë financë;

4. Specialist i teknologjisë së informacionit (programuesit kryesojnë);

5. Shërbim ndaj klientit;

6. Asistente administrative;

7. Specialist i shëndetit dhe sigurisë në punë;

8. Arkëtar/e;

9. Magazinier;

10. Elektricist (specialist);

11. Marangoz/hidraulik/saldator;

12. Jurist;

13. Inxhinier;

14. Arkitekt/e;

15. Mekanik (specialist).

Punët e pakualifikuara

Në këtë kategori kërkesa për punë është shumë më e madhe sesa oferta. Ka zona të tëra me të papunë të pakualifikuar dhe ku ka më së shumti një ose dy fasoneri ose kantiere pune. Por pavarësisht faktit se këto janë punë të pakualifikuara, përsëri duhen disa njohuri sociale bazë që të fillosh punë, duke filluar që nga mundësia e këtyre personave për t’u informuar për vendin e lirë të punës dhe çfarë kërkohet, ose paraqitja tek punëdhënësi me minimumin e sjelljes dhe qasjes ndaj punës, në mënyrë që t’i mundësohet puna. Mungesa e këtyre elementeve bazë, por shpesh edhe mentalitetit prapanik që prek sidomos gratë dhe vajzat, e mban këtë kategori jashtë tregut të punës. Pagat e kësaj kategorie kanë një minimum ligjor që është bruto 24,000 Lekë (nga 1 janari është bërë 26 mijë lekë), por ka kompani që e kanë tejkaluar këtë minimum, duke paguar në nivelet neto 28,000 Lekë të reja dhe në raste të rralla neto 30,000 – 35,000 Lekë të reja në muaj.

Çfarë pritet në 2019-ën?

Gjatë vitit 2019, sipas vlerësimit të EPPC Albania & Kosovo, pritet që të rritet kërkesa dhe qarkullimi për drejtues të lart dhe të mesëm (CEO, CEO-1 dhe CEO-2), si edhe për punonjës të kualifikuar ose jo në fushat e mëposhtme:

1. Shitje në terren sipas sektorëve;

2. Shërbim ndaj klientit (Ballë për ballë ose nëpërmjet telefonit);

3. Punëtorë shërbimi në hotele;

4. Teknologjia e informacionit për Programues, Rrjetesh, Ruajtjes së të dhënave, etj.;

5. Specialist elektrik, mekanik, hidraulik, marangoz, murator, mirëmbajtës;

6. Specialiste finance;

7. Inxhinier;

8. Punëtorë ndërtimi;

9. Punëtorë fasoneri;

10. Specialist shëndeti dhe sigurie në punë;

11. Asistente zyre/administrative.

Sektorët që mund të presin rritje page

“Ndryshimet e konsiderueshme në tregun e punës ndikohen nga zhvillimi ekonomik i vendit dhe investimet”, thotë Erald pashaj, drejtor i EPPC Albania & Kosovo. “Ndërmjet këtyre të fundit janë investimet e huaja zëri kryesor që ndikon rritjen e ofertës për punë, kërkesës për personel të kualifikuar që të zbatojë standarde, rritjen profesionale të stafit dhe për rrjedhojë edhe rritjen e nivelit të pagave”. Vite më parë në sektorin bankar, telekomunikacion dhe farmaceutikë, qenë pikërisht investimet e huaja të cilat rriten nivelin e pagave të këtyre sektorëve dhe ndryshuan tregun e punës. Gjatë vitit 2019 pritet që të rritet paga minimale bruto nga 24,000 Lekë, në 26,000 Lekë të reja në muaj si edhe sektori i hoteleri-turizmit të ketë ndryshimet më pozitive në paga, nxitur nga zhvillimet e fundit në këtë sektor.

“Viti 2019 do të njohë përsëri rritje pagash për kategoritë drejtues dhe specialistë, kryesisht e nxitur nga kërkesa qarkulluese ndërmjet bizneseve aktuale, por dhe nga lëvizjet e pritshme të kësaj kategorie në vendet e BE-së, ku në vend të parë është oferta për punë në Gjermani”, thotë Pashaj./Monitor/