Moti i keq mbërthen Korçën, problemet e para në qarkullim /FOTO

425

Juglindja përfshihet nga reshjet e borës. Mëngjesin e kësaj të enjtje janë hasur probleme më tepër në zonat malore ku qarkullimi ka qenë i vështirë për shkak të trashësisë së madhe të borës.

Në akset Korçë Dardhë e Korçë Voskopojë trashësia e borës ka shkuar deri në 40 cm. Rrugët që lidhin Korçën me këto dy fshatra turistikë janë të kalueshme vetëm me zinxhirë, ndaj edhe për këtë autoriteti rajonal i rrugëve por edhe policia e qarkullimit rrugor iu kërkojnë drejtuesve të mjeteve të jenë të pajisur me zinxhirë e të bëjnë kujdes në të dy këto akse.

Falë masave të marra nga firma e kontraktuar për mirëmbajtjen dimërore aksi Kapshticë Qafë Thanë është i kalueshëm pa probleme. Sipas drejtorit të projektit të mirëmbajtjës dhe sigurisë rrugore, Klodian Sava në këtë aks janë në gatishmëri 12 mjete borëpastruese, ndërsa në të gjithë juglindjen 24 të tilla si edhe mjete të tjera ndihmëse.

Prefekti i qarkut të Korçës, Dhori Spirollari ka bërë me dije se disa fshatra të njësive administrative Dardhas, Velçan në Pogradec, Lekas në Korçë, e Miras në Devoll janë në vështirësi, ashtu siç ka bërë me dije se në zonën e Mokrës ka edhe probleme me energjinë elektrike
Rreshjet e borës sipas zyrës së emergjencave civile pranë institucionit të prefektit do të vijojnë deri në orët e pasdites.