“Gjilpëra në fruta” prek dhe familjen e shqiptarit në Australi

681

Në Australi rikthehet tmerri i gjilpërave në fruta! E këtë herë viktimë për pak sa nuk është bërë familja e një shqiptari.

“Daily Mail” shkruan se gruaja e shqiptarit Skënder Hasa, Shams Alsubaiy e cila ishte shtatzënë për pak sa nuk gëlltiti një kokërr rrushi brenda së cilës gjendej një gjilpërë.

Çifti foli për mediat duke u shprehur se i kishin blerë frutat në një supermarket “Woolworths”, ndërsa Shams Alsubaiy kishte pikasur gjilpërën vetëm pak çaste para se ta konsumonte atë.

“Falenderoj zotin që nuk i konsumova. Jam shtatzënë dhe nuk e di çdo të kishte ndodhur”, tha Shams Alsubaiy.

Rrjeti i supermarketeve lëshoi një deklaratë duke thënë se ishin vënë në dijeni të rastit dhe po punojnë me policinë për zbardhjen e tij.

“Uroj që autorët e kësaj ‘loje’ të ndalen dhe të kenë respekt dhe kujdes për të tjerët”, ka thënë shqiptari.

Vitin e kaluar, Australia u përfshi nga rastet e shumta të gjetjes së gjilpërave në fruta dhe kjo u shoqërua edhe me një dëm kolosal për prodhuesit. Madje pati edhe të arrestuar, por duket se tmerri i gjilpërave në fruta është rikthyer!