60-vjetori/ Shqipëria në UNESCO, dokumentet ekskluzive të aplikimit më 1954-ën.

423

Këtë vit Shqipëria kujton me krenari 60-vjetorin e pranimit të saj në UNESCO. Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Organizatën se Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO) për shak të rrethanave të krijuara në disfavor të saj zgjati mbi 12 vjet, po t’i referohemi dokumentacionit të kohës që ka zanafillën që nga data e shprehjes zyrtarisht të kërkesës së qeverisë sonë në muajin Nëntor të vitit 1946-të.
Dihet se UNESCO, është një organizatë e specializuar e OKB-së, në fushën e asrsimit, kulturës dhe shkencës e themeluar vetëm pak muaj pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore më 16 Nëntor 1945. Për të siguaruar anëtarësinë në këtë organizatë ndërkombëtare të rëndësishme të kohës vendit tonë iu desh një punë diplomatike e vazhdueshme, që nga viti 1946, kur paraqiti kërkesën e parë dhe vetëm pas pranimit si anëtare e OKB-së, në dhjetor 1955, atëherë procedura e pranimit në Shqipërisë në UNESCO duket se u bë më e thjeshtë.

Aplikimet e paraqitura nga shtetet jo anëtare të Kombeve të Bashkuara për t’u pranuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën, bazuar në nenin 2 paragrafi II të Statutit të UNESCO-s, do të transmetoheshin menjëherë nga Sekretariati i Përgjithshëm i kësaj organizate në Këshillin Ekonomik dhe Social të Kombeve të Bashkuara, i cili ishte organi kompetent që rekomandonte pranimin ose refuzimin e kërkesës. Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në këtë organizatë nuk qe i lehtë për vendin tone, pasi Mbretëria e Bashkuar ishte kundër aplikimit shqiptar, pasi Shqipëria, sipas saj, ishte i vetmi vend që kishte injoruar në mënyrë flagrante vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare tё Drejtёsisё (Rasti i Kanalit tё Korfuzit)
Referuar burimeve arkivore që disponojmë pavarësisht se vendi ynë Shqipëria miratoi Konventën Themeluese të organizatës, duke i hapur rrugën firmosjes së Konventës, e cila u bë nga përfaqësuesi i Shqipërisë në Paris. Qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë, në bazë të politikave të saj të paqes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, ka vendosur të kërkojë pranimin e Republikës Popullore të Shqipërisë si anëtare të UNESCO-s.

Duke dorëzuar këtë aplikim, nga Parisi më 6 tetor 1954, në përputhje me nenin 92 të rregullave procedurale të Konferencës së Përgjithshme, Qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë i kërkoi Drejtorit të Përgjithshëm të kryejë veprimet e duhura me qëllim që të vendoset në agjendën e seksionit të ardhshëm të Konferencës së Përgjithshme, e cila do të mbahej në Montevideo në 12 Nëntor 1954.

Në të njëjtën ditë u dorëzua dhe instrumenti i miratimit të Konventës së 16 nëntorit 1945, tek Drejtori i Përgjithshëm i UNESCO-s dhe kësisoj Shqipëria u bë anëtare e saj më 16 tetor 1958. Sigurisht në këto përpjekje Shqipëria gjeti edhe miq e dashamirës të saj të cilët e ndihmuan atë për ti hapur rrugë progresit dhe përparimit të saj. Një prej tyre ishte edhe z. Luther H. Evans, Drejtor i Përgjithshëm i UNESCO-s, i cili e mbështeti fort kërkesën e vendit tonë përpara organizmave të Kombeve të Bashkuara.
Antarësimi i vendit tonë në organizatën më të madhe të Kombeve të Bashkuara më 16 Tetor 1958, duket se e ndihmoi Shqipërinë e atëhershme të luftonte analfabetizmin e trashëguar ndërshekuj robërie në përpjekje për të nxjerrë vendin nga një prapambetje e theksuar ekonomike dhe shoqërore.
Kështu nisi edhe bashkëpunimi ynë tashmë 60-vjeçar i Shqipërisë, me këtë organizatë, me dritëhijet e veta, dhe sot ne jemi bërë palë e të gjitha konventave dhe politikave transformuese të UNESCO-s.
Më poshtë po i paraqesim lexuesit për mundësi gjykimi letërkëmbimet e kohës rreth kësaj çështje në katër dokumente të cilat botohen për herë të parë.
Kombet e Bashkuara
Këshilli Ekonomik dhe Social
Aplikim nga Republika Popullore e Shqipërisë
për anëtarësim në UNESCO
Në përputhje me nenin II të marrëveshjes ndërmjet Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara ka marrë nga Drejtori i Përgjithshëm i UNESCO një letër që e informon atë se Republika Popullore e Shqipërisë ka paraqitur një kërkesë për t’u bërë anëtare e Organizatës.
Bashkëngjitur po Ju dërgohet letra e Drejtorit të Përgjithshëm dhe aplikimi i Republikës Popullore të Shqipërisë që e shoqëron atë.
Deklarata e urgjencës e përmendur në letër përmban të dhënat e mëposhtme:
“Neni II i Marrëveshjes ndërmjet Kombeve të Bashkuara dhe UNESCO-s, vijon si më poshtë:
‘Pranimi i shteteve jo anëtare të Kombeve të Bashkuara
Aplikimet e paraqitura nga Shtetet jo anëtare të Kombeve të Bashkuara për t’u pranuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën do të transmetohen menjëherë nga Sekretariati i Organizatës në Këshillin Ekonomik dhe Social të Kombeve të Bashkuara… Këshilli mund të rekomandojë refuzimin e kërkesave të tilla dhe çdo rekomandim i tillë do të pranohet nga Organizata. Nëse, brenda gjashtë muajve nga marrja e një kërkese nga Këshilli, nuk është bërë një rekomandim i tillë, kërkesa do të trajtohet në përputhje me nenin II, paragrafi 2 të Statutit të Organizatës.’
* * * * *
Telegram
Nga Zyra e Marrëdhënieve mrKomunuellthin
11 Nëntor, 1954
KONFIDENCIALE
Adresuar:Komisionerëve të Lartë tё MB në Kanbera Nr. 1019 dhe Karaçi Nr. 1536, për Delegacionin e MB nё Nju Jork, Delegacionitnë Gjenevë, Uashington dhe Montevideo.
Aplikimi i Shqipërisë për pranim në Organizatën Arsimore Shkencore dhe
Kulturore të Kombeve të Bashkuara
Kjo kërkesë do të shqyrtohet nga Këshilli Ekonomik dhe Social i Kombeve të Bashkuara më 19 Nëntor.
2. Një aplikim i ngjashëm nga Bullgaria u miratua nga Këshilli më 5 Nëntor me dhjetë vota kundrejt gjashtë dhe me dy abstenime, duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA. Përfaqësues të Australisë dhe të Pakistanit mbështetën dhe gjithashtu folën në favor edhe pse me pak entuziazëm duke e bazuar mbështetjen e tyre në parimin e universalitetit të anëtarësimit në Kombet e Bashkuara dhe të organizatave tё specializuara.
3. Mbretëria e Bashkuar është kundër aplikimit shqiptar, pasi Shqipëria është i vetmi vend që ka injoruar në mënyrë flagrante vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare tё Drejtёsisё (Rasti i Kanalit tё Korfuzit)
4. Delegacioni i Mbretërisë së Bashkuar ka shpjeguar kundërshtimin e Mbretërisë së Bashkuar ndaj përfaqësuesve të Australisë dhe Pakistanit, të cilët shprehën keqardhje dhe thanë se do të toleronin qeveritë e tyre, duke u kërkuar refuzimin e aplikacioneve. Këndvështrimet përfaqësojnë pikëpamjet e Mbretërisë së Bashkuar siç përcaktohen në paragrafin 2, urgjente për autoritetet Australiane /Pakistaneze dhe shprehin shpresën se përfaqësuesit e tyre duhet të udhëzohen për të kundërshtuar aplikimin shqiptar.
Artikulli II, paragrafi 2 i statutit tё UNESCO
Në bazë të kushteve të Marrëveshjes ndërmjet kësaj Organizate dhe Organizatёs të Kombeve të Bashkuara mund të pranohen për anëtarësim në Organizatë, me rekomandim të Bordit Ekzekutiv, me dy të tretat e votave të Konferencës së Përgjithshme.
Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s, do ta mbajë seancën e saj të tetë nga 12 Nëntori deri më 11 Dhjetor 1954. Ajo nuk do të mblidhet me deri në vitin 1956. Bordi Ekzekutiv i UNESCO-s, do të mbahet disa ditë para sesionit të tetë të Konferencës së Përgjithshme.
Prandaj, shqyrtimi nga Këshilli Ekonomik dhe Social në seancën e saj të parë të aplikimit të Republikës Popullore të Shqipërisë është e nevojshme për të mundësuar që Konferenca e Përgjithshme e UNESCO të marrë në shqyrtim këtë çështje në sesionin e saj të ardhshëm.
* * * * *
Letër nga Ambasada e Republikës Popullore të Shqipërisë në Francë drejtuar Drejtorit të Përgjithshëm të UNESCO.
Paris 6 tetor 1954
Kam nderin t’ju informoj se jam i autorizuar nga qeveria ime për t’ju komunikuar për sa ne vijim:
Qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë, në bazë të politikave të saj të paqes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, ka vendosur të kërkojë pranimin e Republikës Popullore të Shqipërisë si anëtare të UNESCO.
Qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë, deklaron gatishmërinë e saj për të vepruar në përputhje me Statutin e Organizatës, të pranojë detyrimet që kjo sjell, si dhe të marrë pjesë në shpenzimet e Organizatës.
Duke dorëzuar këtë aplikim, në përputhje me rregullin [nenin] 92 të rregullave procedurale të Konferencës së Përgjithshme, Qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë i kërkon Drejtorit të Përgjithshëm të kryejë veprimet e duhura me qëllim që të vendoset në axhendën e seksionit të ardhshëm të Konferencës së Përgjithshme e cila do të mbahet në Montevideo në 12 Nëntor 1954.
Shemsi Totozani
Ministër
* * * * *
LETËR NGA DREJTORI I PËRGJITHSHËM I ORGANIZATËS SË KOMBEVE TË BASHKUARA PËR ARSIMIN, SHKENCËN DHE KULTURĒN PËR SEKRETARIN E PËRGJITHSHËM
Paris, 12 Tetor 1954
Kam nderin t’ju informoj se kam marrë një kërkesë në datën 6 Tetor 1954 nga Republika Popullore e Shqipërisë për anëtarësim në UNESCO.
Po bashkëlidh një kopje të kësaj kërkese dhe unë do të jem mirënjohës nëse do të bënit të mundur që ajo të shtrohet përpara Këshillit Ekonomik dhe Social në sesionin e tij të 17-të, të rifilluar për shqyrtim urgjent. Bashkëlidhur ju dërgoj edhe një deklaratë në mbështetje të kërkesës sime.
Prandaj, duhet ta vlerësoj shumë atë, nëse Këshilli Ekonomik dhe Social, duke vepruar sipas nenit 17 të rregullores së tij të procedurës, do të konsideronte mundësinë e shtimit të kësaj pike në axhendën e tij dhe të marrjes së tij gjatë rifillimit të seancës së saj.
Luther H. Evans
Drejtor i Përgjithshëm
Shënim: Dokumtentet që publikohen me këtē rast janë marrё nga:“The National Archives”, London, UK.