Fiton në lotari sa 1/3 e buxhetit shqiptar por… nuk i tërheq!

642

Kishte 1 në 302,575,350 mundësi për të fituar. Ia doli, fitoi një miliard e gjysmë dollarë, shuma më e madhe e historisë së Shteteve të Bashkuara.

Mega Millions është lotaria më e famshme amerikane
Por nuk shkon askush të marri lekët, ose të paktën të paraqitet të autoritetet përgjegjëse për lotarinë amerikane Mega Millions.

Duket një skenë i një filmi, madje një filmi vizatimor nga momenti që ngjarja e vërtetë po ndodh në qytezën e Simpsonville, në shtetin e Karolinës së Jugut.

Komunitetit lokal nuk i besohet që një prej tyre nga një moment në tjetrin u shndërrua ditën e 23 tetorit në një nga pasanikët më të mëdhenj të gjithë Shteteve të Bashkuara, por që akoma nuk ka dhënë asnjë shenjë jete. Asnjë telefonatë, asnjë reklamim për malin e parave të fituar, asgjë.

Momenti i shortit miliarder
Hipotezat janë nga më të shumtat. Dikush thotë që bileta mund të ketë humbur, disa thonë që personi misterioz nuk ka mundur t’i mbijetojë lajmit, disa të tjerë që ai thjesht po pret momentin e duhur, i frikësuar nga fama dhe ndryshimi i jetës.

Një gjë është e sigurt. Miliarderi ose miliarderja misterioze ka afat deri në prill për të arkëtuar çmimin e madh, përndryshe shuma përrallore, baraz pak a shumë me 1/3 e buxhetit të shtetit shqiptar, do të shpërndahet midis shteteve të Amerikës që kanë marrë pjesë, dhe që mund t’i përdorin për projekte të ndryshme.

Dyqani ku u ble bileta, në qytetin e Simpsonville
Historia e lotarive jo gjithmonë i ka buzëqeshur fituesve. Disa kanë harxhuar gjithçka në pak vite me blerje të çmendura, të tjerë kanë rënë në depresion dhe kanë bërë vetëvrasje, si një burrë i quajtur Billie Bob Harrell Jr, i cili fitoi 31 milionë dollarë në 1997, dhe që para se të vriste vetën i deklaroi avokatit: “Fitorja e lotarisë ishte gjëja më e keqe që më ka ndodhur në jetë”.

Gjithsesi, në rastin pothuajse të pamundur që jeni pronari i biletës me numra 5-28-62-65-70 me shifrën “magjike” 5, atëherë duhet të nxitoni. Dhe kujtohuni për miqtë e mirë!