Nis rikonstruktimi i godinave, por studentët nuk janë të bindur

517

Në Qytetin Studenti ka nisur rikonstruktimi i dy godinave të para. Kryeministri Edi Rama, nga llogaria e tij në Facebook, deklaroi se do të jenë 11 të tilla. Por vetë studentët thonë se po vijojnë të jetojnë në kushte mesjete.

“Thjesht po i japin një të lyer nga jashtë, siç ndodhi edhe me fakultetin ekonomik. Nuk ka as pastërti, as ngrohje, asgjë, madje edhe linjat e korrentit janë shumë të dobëta për shkak se kur vendos një rezistencë për të gatuar, bie direkt linja, rrinim pa drita me orë të tëra”, thotë një studente.

Edhe pse sheshet e protestave u boshatisën për festat e fundvitit, nëpër godinat e konvikteve kanë mbetur ende studentë. Kryesisht ata që punojnë njëkohësisht me studimin.

Krahas ndihmës së gjermanëve, turqve, edhe Bashkia , sipas Ramës, do të do rikonstruktojë godinat e tjera në qytetin studenti, me vlerë 3 milion lekë.

Por këto shifra sipas ish kryeministrit Sali Berisha janë mashtrime, pasi kredia me gjermanët daton që në kohën e qeverisë së tij, kur është bërë edhe ndërhyrja e fundit në qytetin studenti.

E ndërsa politika vazhdon grindet për meritat e përgjegjësitë, studentët kanë vendosur të vazhdojnë protestën, simbolikisht.