Sikur të isha student…

452

ARIAN GALDINI

E kemi tashmë si një pikë reference kombëtare statusin e studentit. Lëvizja me impaktin më pozitiv historik social dhe kulturor që kanë pasur shqiptarët ndonjëherë, është pikërisht Lëvizja Studentore e Dhjetorit ’90.

Prej atij dhjetori, të gjithë maten vetëm me mastarin e asaj Lëvizjeje. Më kujtohet në vitin 1998, kur unë isha një besimtar i pafajshëm te PD dhe Sali Berisha, së bashku me disa miq studentë, nisëm një Lëvizje Studentore tonën.

Nuk është sekret tashmë se ne ishim të gjithë anëtarë ose simpatizantë të PD-së.

Madje, ishim edhe në sherrnaja me njëri-tjetrin sepse p.sh, unë, si kokë më vete që kam qenë ngaherë, isha Kryetar i Këshillit Studentor Shqiptar, ndërkohë aty kishte përfaqësi dhe luftë për kontroll të drejtimit të Lëvizjes edhe nga Unioni i Pavarur Studentor Shqiptar, edhe nga Forumi Demokrat Studentor, edhe nga Dega e PD Qytet Studenti, edhe nga Forumi Rinor i PD-së.

Ç’është e vërteta, të gjitha këto organizata ishin ose të PD-së. ose pranë PD-së dhe të gjithë ne drejtuesit e tyre dhe konkurrentët për drejtues të Lëvizjes Studentore shkonim rregullisht, pothuajse çdo ditë e ndoshta disa herë në ditë në zyrën e Sali Berishës.

Me gjithë klimën e rënduar dhe frikën që mbizotëronte ngado nëpër Shqipëri, ngase ishim vetëm 1 vit pas 1997 dhe vetëm 2 muaj pas vrasjes së Azem Hajdarit, ne ia dolëm që të ngrinim në këmbë për ditë e javë me radhë një lëvizje të fortë studentore.

Prej 17 nëntorit e deri në 10 dhjetor 1998, u bojkotua mësimi në të gjitha universitetet shqiptare dhe shoqëria e tëra jetonte me ne studentët.

Sigurisht, asokohe nuk kishte transmetime live dhe qeveria nuk lejonte asnjë TV që ta bënte lajm lëvizjen tonë studentore.

Vetëm mediat pranë opozitës na pasqyronin dhe ne konsideroheshim si “Dhjetori i dytë”.

Sali Berisha dhe PD zyrtare na konsideronte si dhjetorin e dytë.

Në dt. 10 dhjetor 1998, ne 120 studentë vendosëm të hynim në grevë urie.

Kërkesat tona ishin ekonomike, akademike, infrastrukturore, por kishim edhe kërkesa politike, siç ishte ajo për gjetjen e vrasësve të Azem Hajdarit dhe kërkesa që në çdo institucion akademik, universitar dhe arsimor shqiptar, të vendosej dhe valëvitej flamuri ynë kombëtar.

Deri në dt. 17 dhjetor, më kujtohet që porositë që kishim nga PD ishin që ne të mos bënim asnjë kërkesë politike, asnjë.

Por një urdhër i çuditshëm i Kryeministrit Pandeli Majko, atë ditë solli qindra forca Policie, të cilat hynë diku pas mesnate në ambientet e Kinoklubit të Qytetit Studenti, ku ne ishim ngujuar në grevë urie dhe na nxorën jashtë me dhunë, duke na tërhequr zvarrë e duke na rrahur barbarisht.

Policia na shpërndau grupe-grupe me makinat e saj, duke çuar një pjesë të studentëve në Krujë, një pjesë në Kavajë, një pjesë në Malin e Dajtit e një pjesë në Spitalin Ushtarak, në mënyrë që ne të mos rigrupoheshim më.

Imagjinoni që ne ishim të paveshur, sepse pas mesnate ishim të gjithë në gjumë, e shumë nga vajzat studente që u lanë në mes të rrugës, në askund, në atë natë të ftohtë dhjetori, ishin krejt të pambrojtura.

Mua me disa prej miqve të mi na ra fati i madh të shoqëroheshim në Spitalin Ushtarak.

Diku nga ora 5 e mëngjesit, ne ia dalim të ikim nga spitali dhe vrapuam menjëherë për te ‘Radio Kontakti’.

Gazetari që qëlloi aty, i lebetitur, më futi menjëherë në studio prej nga ku unë fillova t’u bëj thirrje qytetarëve shqiptarë që të gjejnë dhe ndihmojnë studentët e shpërndarë nga Policia gjatë natës, t’i ndihmojnë me veshje e t’i sjellin te Memoriali i Azem Hajdarit.

Nuk më shkoi në mendje pikëmbledhje tjetër veç Memorialit të Azemit.
Dhe ashtu ndodhi.
Qytetarët shqiptarë janë të mrekullueshëm.
Dalëngadalë, të gjithë po mblidheshim e bashkë me ne studentët po vinin edhe qytetarët.

Aty vendosëm që të riktheheshim në Qytetin Studenti, ku edhe do të vendosnim se
çfarë do të bënim.

U kapëm krah për krah dhe nisëm marshimin tonë drejt Qytetit Studenti.
Bashkë me ne ishin mbledhur edhe mijëra, mijëra qytetarë.

Kur mbërritëm te Kinoklubi, pamë shumë forca Policie që e kishin rrethuar dhe e mbanin godinën nën mbrojtje të rreptë.

Ne studentët grevistë u ulëm te sheshpushimi me shkallë përballë Kinoklubit dhe po
diskutonim për të marrë një vendim nëse do ta vazhdonim apo jo grevën tonë. Në atë kohë vjen një gazetare bashkë me kameramanin dhe më drejton mikrofonin.

I acaruar, i pagjumë, i pangrënë dhe i rrahur keq nga Policia, sapo shoh mikrofonin m’u
para fytyrës sime, e ndjeva gjakun që më vloi dhe mbajta pothuajse një fjalim plot nerv, ku edhe kërkova për herë të parë dorëheqjen e Pandeli Majkos si Kryeministër.

Me të mbaruar fjalët e mia për gazetaren, nuk e di pse u ngrita brof në këmbë dhe u
kërkova studentëve që të kapeshim për krahu dhe të rihynim në godinën e Kinoklubit për
ta vazhduar përsëri aty grevën tonë të urisë.

U bëmë si një trup dhe u nisëm drejt një përleshjeje epike trup më trup me Policinë,
ne të uritur, të zhveshur dhe të mardhur, ndërsa Policia me shkopinj gome dhe e armatosur gjer ne dhëmbë.

Të gjithë ata djem e vajza studentë që ishin aty, në atë moment, janë edhe sot e kësaj dite heronjtë e mi.

Nuk u desh shumë kur ia brofën në pak minuta edhe mijëra qytetarë, që u bashkuan
me ne në atë përleshje me Policinë.

E fituam betejën tonë, e rifituam Kinoklubin tonë.

Rihyrja jonë në grevën e urisë bëri që as mediat dhe as ndërkombëtarët të mos na injoronin më.

Kriza u bë kombëtare dhe vëmendja ndërkombëtare u bë emergjente.

Në dt. 21 dhjetor, Sali Berisha u takua me Pandeli Majkon dhe greva jonë u mbyll me
një aktmarrëveshje të qartë politike.

Nga klima e plumbave dhe atentateve, Shqipëria kaloi në një kohë të re të paqes sociale
dhe kulturës normale të bashkëpunimit qeveri-opozitë.

Prej asaj Lëvizjeje Studentore u arrit edhe bashkëpunimi politik mbarëkombëtar për
Kosovën e gjithë sa ndodhi me Kosovën në vijim. në vitet 1998-1999.

Nga ajo Lëvizje u arrit edhe të miratohet Ligji i parë i Arsimit të Lartë. që ndryshoi krejt
procesin sesi vinin shefat e departamenteve, dekanët dhe rektorët. Ne e bëmë të mundur
që këta të mos emëroheshin më nga partitë, por të zgjidheshin me votë.

E aty nisi edhe kriza e parë, sepse procesi zgjedhor kërkonte edhe kritere shkencore e
gradat përkatëse.

Të gjithë shefat e departamenteve, dekanët dhe rektorët e asaj kohe e shfrytëzuan vakuumin kohor deri në miratimin dhe fillimin e zbatimit të Ligjit të Arsimit të Lartë, për t’i
dhënë vetes e njëri-tjetrit me shpejtësi skëterre dhe pa asnjë kriter a parametër shkencor, të gjitha gradat e mundshme që do t’u duheshin për të qenë në rregull me kërkesat e reja ligjore.

Kësisoj, kjo historia e plagjiaturave apo gradave shkencore të pamerituara e ka zanafillën pikërisht në atë moment.

Nejse, gjëja që nuk më shlyhet nga mendja është se nga PD pati një pakënaqësi deri
në egërsi të hidhët ndaj meje, pas kërkesës sime politike për dorëheqjen e Pandeli Majkos.

Gjëja e dytë që më ka lënë krejt të shtangët e të pafjalë ka qenë fakti se në filmin zyrtar
që kishte përgatitur PD për këtë dhjetor ‘98 e të quajtur nga autori i filmit si “Dhjetori i
dytë”, unë pothuajse nuk ekzistoj fare.

Mezi e kam parë veten shkarazi në nja dy sekuenca të një filmi që zgjaste mbi 60 min.
Besomëni, edhe pse kam qenë ideator, nismëtar dhe drejtues e protagonist i padiskutueshëm për javë të tëra në atë lëvizje studentore, kushdo që e ka bërë atë film, është treguar gjenial për të më zhdukur mua fare nga historia.

Ani, asgjë për t’u mërzitur.

Pjesë e normalitetit paradoksal shqiptar.

Ndërkohë, ja ku jemi në këtë dhjetor 2018, që për hir të së vërtetës, duhet ta quajmë si
dhjetor të tretë.

Studentët po bojkotojnë mësimin prej fillimit të dhjetorit, e njëkohësisht kanë zbritur në sheshe.

E nisën me Ministrinë e Arsimit dhe tani prej pak ditësh janë stacionuar para Kryeministrisë.

Kërkesat e tyre minimaliste, dhe sipas meje të debatueshme, janë bërë një sebep i madh
kombëtar, por ende jo një arsye e madhe kombëtare.

Çuditërisht, politika shqiptare e gjitha ka një konsensus të plotë mbi 8 kërkesat e studentëve, duke i quajtur të drejta.

Unë për vete nuk i quaj aspak të drejta, i quaj si minimaliste, konfuze, të debatueshme dhe me domosdoshmërinë për t’u riformuluar dhe ripropozuar.

Thjesht habitem pse qeveria dhe opozita janë dakord për këto 8 kërkesa dhe në fund akuzojnë njëra-tjetrën për përdorim të studentëve dhe lëvizjes për qëllime politike.

Ka diçka skizofrenike dhe frenetike në gjithë këtë histori.

PD akuzon Edi Ramën dhe Lal Erin se ka futur Arlind Qorrin dhe Organizatën Politike që të kontrollojë lëvizjen studentore.

Edi Rama akuzon Lulzim Bashën, Monika Kryemadhin e madje edhe vetë Arlind Qorrin se duan t’i përdorin studentët si mish për top për qëllime dhe axhenda politike.

Po ashtu, Edi Rama thotë se 8 kërkesat janë të drejta e se ai do t’i plotësojë.

Arlind Qorri thotë se lëvizja studentore do të fitojë.

Shpresoj që ka parasysh këtu plotësimin e 8 kërkesave.

Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi thonë se 8 kërkesat janë të drejta dhe duhet të plotësohen menjëherë e ky qenka edhe shkaku pse këta thyejnë bojkotin dhe rikthehen në Kuvend.

As mjeshtrit e sofizmit nuk do t’i jepnin dot kuptim një kokolepsjeje të tillë kur të gjithë janë dakord me 8 kërkesat e studentëve, të gjithë quajnë fitore plotësimin e 8 kërkesave të studentëve, të gjithë akuzojnë njëri-tjetrin për përdorim të studentëve, e në fund as vetë studentët nuk e dinë me kë janë e pse janë.

Sikur unë të isha sot student, a e dini çfarë do të bëja?

Me këto 8 kërkesa minimaliste dhe kot së koti, nuk do e merja mundimin të pushtoja asnjë shesh publik.

Për këto soj kërkesash, sinqerisht juaj them, të dashur studentë, mjafton të bojkotoni mësimin dhe të pushtoni sheshet para fakulteteve dhe universiteteve tuaja.

Kështu, politika nuk do ketë me as interes për ju e as do vijë t’ju përdorë më.

Por në çastin që keni vendosur të dilni në sheshe publike, e aq më shumë të dilni përditë në protestë para Kryeministrisë, atëherë riformuloni kërkesat tuaja.

Sikur unë të isha student sot e sikur të isha bashkë me ju në atë shesh përballë Kryeministrisë, do të kisha vetëm 4 kërkesa politike.

1. Jo dialog, jo negociata, as me Kryeministrin e as me asnjë parti a politikan të korruptuar.

2. Dorëheqjen të Kryeministrit Edi Rama.

3. Krijimin e një Qeverie Teknokratësh dhe me njerëz të papërlyer e me integritet.

4. Hapjen e Negociatave për Reformim të thellë të Arsimit shqiptar dhe një Pakti për Universitetin vetëm me një Qeveri të re, me njerëz të papërlyer e me integritet.

Rrugë tjetër nuk ka, të dashur studentë. Ose 4 kërkesa politike, ose përndryshe ikni në shtëpi para se t’ju përcjellin politikanët në shtëpi.

Ose do t’i bëni nder kombit dhe shoqërisë duke bërë kërkesa që ndikojnë në gjithë jetën e shoqërisë dhe kombit ose do t’i bëni nder vetes.

Po e patët gjithë këtë punë për t’i bërë nder vetes, mos prisni askënd t’ju bashkohet aty para Kryeministrisë.

Unë besoj te dëlirësia juaj e nuk ju paragjykoj as nëse jeni forumsa apo me porosi partie aty.

Kam qenë edhe unë në kohën time student i porositur nga PD. Rëndësi ka që porosinë e partisë ta vendosni në balancë me nevojën që ka kombi dhe shoqëria për suksesin e lëvizjes suaj.

Ose fitoni me nder si dhjetoristë të vërtetë, ose ikni ne shtëpi të qetë sepse fitoren e 8 kërkesave e keni në xhep, sepse të gjithë janë dakord.