Arben Imami: Shqipëria është në një moment deçiziv për të ardhmen e saj

464


Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Arben Imami ka reaguar me anë të një njoftimi në shtyp lidhur me situatën në vend, duke u ndalur te protestat e studentëve por edhe te mbledhja e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike nga Basha, të cilin e sheh në kundërshtim të hapur me statutin e propozuar dhe miratuar po prej tij.

“Establishmenti korruptiv politiko- financiar që po drejton dy partitë e mëdha në vend, ka detyruar rininë e vendit të dalë në sheshe e të kërkojë me forcën dhe kurajon e së drejtës shpërbërjen e kësaj status quo-je.” tha ndër të tjera Imami.

Njoftim për shtyp nga Arben Imami:

Shqipëria është në një moment delikat dhe deciziv për të ardhmen e saj.

Mijëra studentë dhe pedagogë prej 10 ditësh kanë mbushur sheshet e Tiranës dhe qyteteve të tjera universitare për shkak të krizës së plotë politike, ekonomike dhe sociale. Establishmenti korruptiv politiko- financiar që po drejton dy partitë e mëdha në vend, ka detyruar rininë e vendit të dalë në sheshe e të kërkojë me forcën dhe kurajon e së drejtës shpërbërjen e kësaj status quo-je. Si pedagog i lëvizjes studentore dhe bashkë themelues i Partisë Demokratike u bëj thirrje studentëve dhe pedagogëve të vazhdojnë pa ndalim rrugën e virtytit, dijes dhe dashurisë për vendin. Historia jonë na tregon se të drejtat fitohen.

Pikërisht në këto ditë z. Basha zgjedh të mbledhe Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, në kundërshtim të hapur me statutin e propozuar dhe miratuar po prej tij. Kuvendi po mbildhet pa vendim të Këshillit Kombëtar, Kryesisë dhe në kundërshtim flagrant me frymën demokratike të një partie perëndimore që ka rrëzuar komunizmin. Ky Kuvend vulos frymën e përcarjes së Partisë nga baza në qendër. Një opozitë që drejtohet në mënryrë autoritare nuk jep shpresë për një Shqipëri demokratike dhe ky është mesazhi më i gabuar që Lulzim Basha po u dërgon studentëve në protestë dhe gjithë shoqërisë shqiptare.

Ndaj I bindur plotësisht në principet mbi të cilet e nisem këtë luftë për liri dhe demokraci, ju bëj me dije se pjesëmarrja ime në ate Kuvend do të ishte e pamoralshme.