Gjimnazistët bojkotojnë mësimin, i bashkohen protestës së studentëve.

458

Në protestën e sotme para Ministrisë së Arsimit nuk do të jenë vetëm studentë, por edhe gjimnazistë. Mësohet se sot gjimnazistët e Tiranës nuk kanë pranuar që të futen brenda oborreve të shkollës së tyre në shenjë solidarizimi dhe bashkimi më studentët.

Nxënësit e shkollës “Petro Nini Luarasi”, “Sami Frashëri” dhe shumë të tjerë janë grumbulluar para godinave të shkollës dhe thonë se do të bashkohen në protestë.

Në një postim në rrjetet sociale, përfaqësues nga të gjithë fakultetet publike në vend kanë njoftuar se në orën 07:00 të mëngjesit të sotëm e deri në orën 10:00, do të bllokohen të gjitha hyrjet e fakulteteve, çka nënkupton bojkot total të mësimit.

Në orën 10:00 do të nisë marshimi nga të gjitha fakultetet, drejt rrugëve që të shpien për në Ministrinë e Arsimit, atje ku është protestuar prej një jave.

Protestës sot pritet t’u bashkohen edhe gjimnazistë dhe mjaft qytetarë që përgjatë këtyre ditëve i kanë mbështetur.

Ora 16:00 e ditës së sotme është afati i fundit që studentët i kanë lënë qeverisë për të plotësuar 8 kërkesat e tyre. Në skadim të këtij afati, kanë paralajmëruar përshkallëzim, deri në grevë urie.