Cilët janë 10 kandidatët? Zaganjori ndërmerr hapin e radhës për KLGJ (Dokumenti)

547

Kreu i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, ka thirrur Mbledhjen e Përgjithshme të Gjyqtarëve pas përfundimit të vetingut për kandidatët për Këshillin e Lartë të Gjyqësorit.

Përmes një njoftimi ditën e djeshme, Zaganjori ka vendosur si datë të Mbledhjes së Përgjithshme, 12 dhjetorin, nga ku do të nisin punimet për zgjedhjen e anëtarëve të KLGJ nga radhët e gjyqtarëve. Thirrja e mbledhjes vjen pas dërgimit nga ana e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të listës përfundimtare të kandidatëve për Këshillin e Lartë të Gjyqësorit, i cili do të jetë institucioni i ri i derivuar nga Reforma në Drejtësi, që do të zëvendësojë Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

“Në mbështetje të nenit 13 të ligjit nr. 115/2016 ‘Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë’, pasi u njoha me listën e kandidatëve për Këshillin e Lartë Gjyqësor, përcjellë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më datë 27.11.2018, më datë 30.11.2018, vendosa të thërras Mbledhjen e Përgjithshme të Gjyqtarëve. Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve duhet të zgjedhë 6 (gjashtë) anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Ajo do t’i zhvillojë punimet ditën e mërkurë, më datë 12 dhjetor 2018, ora 10:00.

Sipas nenit 14/1 të ligjit nr. 115/2016 ‘Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë’, pjesëmarrja e gjyqtarëve në Mbledhjen e Përgjithshme për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor përbën detyrim ligjor”, shkruan shkresa e Zaganjorit, firmosur ditën e djeshme.

KANDIDATËT

Në bazë të parashikimeve ligjore, Këshilli i Lartë Gjyqësor është organ kolegjial i përbërë nga 11 (njëmbëdhjetë) anëtarë, të cilët shërbejnë në detyrë me kohë të plotë. 6 (gjashtë) prej anëtarëve të Këshillit duhet jenë gjyqtarë nga të gjitha nivelet e pushtetit gjyqësor, nga të cilët: 1 anëtar nga Gjykata e Lartë, 2 anëtarë nga Gjykatat e Apelit dhe 3 anëtarë nga Gjykatat e Rretheve Gjyqësore.

Në nisje të vetingut, interes për të qenë kandidatë për Këshillin e Lartë Gjyqësor shprehën vetëm 14 gjyqtarë. Prej tyre, dy gjyqtarë vinin nga radhët e Gjykatës së Lartë: Medi Bici dhe Artan Zeneli, ndërkohë që ligji parashikon që KLGJ duhet të ketë vetëm një anëtar nga Gjykata e Lartë.

Po kështu, nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranës kishte shtatë kandidatë: Alma Brati, Artan Laze, Astrit Faqolli, Bledar Abdullai, Brunilda Kadi, Brunilda Kasmi dhe Manjola Xhaxho. Sa u përket Gjykatave të Apelit, fillimisht u afruan tre kandidatë: Besim Trezhnjeva nga Apeli i Durrësit, Ilir Toska nga Apeli i Tiranës dhe Nertina Kosova nga Apeli i Krimeve të Rënda.

Gjithashtu, pati edhe një kandidat nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda: Dritan Hallunaj dhe një kandidat nga Gjykata e Shkallës së Parë të Rretheve: Marçela Shehu. Teksa 14 kandidatët e parë kaluan në filtrat e drejtësisë nëntë prej tyre u konfirmuan në detyrë, një u tërhoq dhe katër të tjerë u shkarkuan.

Të shkarkuarit ishin: Artan Laze nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, Artan Zeneli nga Gjykata e Lartë, Besim Trezhnjeva nga Gjykata e Apelit Durrës dhe Bledar Abdullai nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë. Shkarkimi i Besim Trezhnjevës nga Apeli i Durrësit bëri që të kishte një shpallje vakance për gjyqtarë nga Apelet, pasi nuk plotësoheshin kushtet për kandidatët.

Kështu, u afruan dy gjyqtarë, Brikena Ukperaj nga Gjykata e Apelit Vlorë, ish-kandidate për KED dhe Luan Dervishi nga Apeli i Shkodrës. Ukperaj, në momentin që shpalli kandidaturën, kishte kaluar me sukses vetingun, ndërsa Luan Dervishi mbeti në veting javët e fundit për shkak se nuk krijoi një nivel besueshmërie të mjaftueshme në kriterin e pasurisë dhe integritetit të figurës.

NGA GJYKATA E LARTË:
1. Medi Bici – Gjykata e Lartë
NGA GJYKATAT E APELEVE:
1. Ilir Toska – Gjykata e Apelit Tiranë
2. Nertina Kosova – Gjykata e Apelit për Krime të Rënda
3. Brikena Ukperaj – Gjykata e Apelit Vlorë
NGA GJYKATAT E RRETHEVE GJYQËSORE:
1. Alma Brati – Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë
2. Astrit Faqolli – Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë
3. Brunilda Kadi – Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë
4. Manjola Xhaxho – Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë
5. Marçela Shehu – Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin
6. Dritan Hallunaj – Gjyk. e Shkallës së Parë për Krime të Rënda