Mashtrimi me biletat e udhëtimit, zbulohen kallëzime të reja.

488

Katër kallëzime të reja janë bërë në Policinë e Tiranës për shtetasen e ndaluar për “mashtrim” Marina Maze, e cila momentalisht ndodhet në masën e sigurisë “arrest shtëpiak” me vendim të Gjykatës.

Kujtojmë se Marina Maze (Tasho), e cila drejton një agjenci udhëtimesh me emrin “Tasho’s Travel Agency” është përfshirë në një skemë mashtrimi, ku në grackë kanë rënë qytetarë të ndryshëm që kanë prerë bileta udhëtimi, por që në fakt nuk kanë ekzistuar.

“Panorama” sjell edhe katër raste të tjera mashtrimi, që u bashkohen shtatë rasteve të para, ku qytetarët pasi kanë kuptuar se janë mashtruar me biletat që kanë prerë, i janë drejtuar Policisë së Tiranës. Kujtojmë se Tasho është lënë në “arrest shtëpie” nga Gjykata e Tiranës, pasi kishte për t’u kujdesur për fëmijën e saj 3- muajsh.

Ajo ka premtuar se do t’ua kthejë paratë personave që kanë paguar e prenotuar bileta udhëtimi, madje për këtë arsye ka nxjerrë në shitje edhe shtëpitë. Tasho është administratore e agjencisë turistike “Tasho’s Travel Agency”, që ndodhet në rrugën “Hoxha Tahsim” në Tiranë, e cila është e mbyllur që prej datës 22 nëntor. Ajo dyshohet se ka mashtruar rreth 11 persona me biletat e udhëtimit. Ka qenë një qytetare që kishte prenotuar një sasi të madhe biletash për një dasmë në SHBA, ajo që ka zbuluar fillimisht rastin, pasi ra pre e mashtrimit.

Më tej, viktima të këtij mashtrimi kanë rënë edhe qytetarë të tjerë që dëshironin të udhëtonin drejt vendeve të BE-së apo edhe në Azi. Në katër rastet e reja, bëhet fjalë për një dëm prej rreth 3 mijë eurosh që u është bërë katër qytetarëve që kanë prenotuar biletat, pa i kryer dot udhëtimet. Edhe ata, si shtatë të parët, nuk kanë mundur të kontaktojnë dot me pronaren e agjencisë, pasi e kanë gjetur zyrën e saj të mbyllur.

KALLEZIMET

Më datë 22.11.2018 është paraqitur në Polici shtetasi Petraq C., i cili ka bërë kallëzim penal duke thënë se kishte prenotuar e paguar dy bileta udhëtimi në agjencinë e udhëtimit “Tasho’s Travel Agency”, me vlerë rreth 760 euro. Kur kishte shkuar për t’u interesuar përsëri në këtë zyrë, e kishte gjetur të mbyllur dhe nuk kishte arritur të kontaktonte me shtetasen Marina Maze (Tasho).

Më datë 22.11.2018 ka depozituar kallëzim shtetasi Flamur M., i cili ndër të tjera ka sqaruar se ai ka prenotuar 4 bileta avioni për në Dubai dhe i ka paguar shtetases Marina Tasho shumën prej 1600 euro. Më datë 21.11.2018 ajo nuk i është përgjigjur më në telefon dhe kur ka shkuar te zyra e saj ka mësuar se ajo e kishte mashtruar. Më datë 22.11.2018 ka depozituar kallëzim shtetasja Irida H., e cila ndër të tjera ka shpjeguar se ka prenotuar dy bileta për në Berlin dhe i ka dhënë shumën prej 37 600 lekë të rinj shtetases Marina Tasho.

Kur ka shkuar të interesohet në lidhje me biletat, ajo ka mësuar se Marina e kishte mbyllur zyrën dhe se e kishte mashtruar. Më datë 23.11.2018 ka bërë kallëzim edhe shtetasi Nazmi Suti, i cili ndër të tjera ka sqaruar se edhe ai kishte paguar për dy bileta udhëtimi në zyrën “Tasho’s Travel Agency”, në rrugën “Hoxha Tahsim”, Tiranë. Ai ka paguar shumën prej 240 eurosh për një udhëtim në Stamboll, ku data e nisjes ishte 23.11.2018, por kur kishte shkuar për të marrë informacion në zyrën e agjencisë kishte mësuar se ajo ishte mbyllur dhe ishin mashtruar.