Nisin prishjet e banesave për projektin e Unazës

487

Në kulmin e debatit për prishjen e banesave në “Unazën e Re”, si pjesë e projektit për zgjerimin e rrugës, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, nëpërmjet një publikimi të shkurtër në rrjetet sociale ka njoftuar nisjen e një aksion tjetër të prishjes së banesave dhe objekteve të tjera këtë herë në zonën e Shkozës.

Bëhet fjalë për të njëjtin projekt për ndërtimin e Unazës së Madhe, por pjesë e lotit dy, ku do të ndërhyhet nga zona e ish-uzinës së Autotraktorëve deri te ura e Shkozës, për të zbritur më tej dhe për të krijuar lidhjen me rrugën ekzistuese te Materniteti i Ri. IKMT nuk ka saktësuar se ku do të ndërhyjë ditën e sotme, por “Vizore.al” mëson se do të vazhdojë shembjet në një zonë mbi urën e Shkozës, aty ku kryesisht do të ndërhyhet për prishjen e disa objekteve pa leje, por edhe atyre që kanë përfituar tashmë shpronësim sipas ligjit.

Edhe banorët e Shkozës protestuan kundër prishjes së banesave të tyre, por ndryshme nga protesta aktuale e banorëve të Unazës së Re ata nuk ishin kaq të zëshëm dhe atëherë protesta e tyre nuk arriti të kthehej mjaftueshëm në një kauzë. Këtë herë, edhe për shkak të zgjedhjeve vendore që janë në prag, protesta e banorëve të Unazës së Re është përdorur më së miri edhe nga forcat opozitare për t’i bërë presion qeverisë. /vizore.al