Mbledhja e dy qeverive, Rama: Të zhgënjyer nga BE për vizat me Kosovën

479

Në Pejë zhvillohet mbledhja e përbashkët mes qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës nën drejtimin e Kryeministrave Edi Rama dhe Ramush Haradinaj.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama tha se janë të zhgënjyer nga Bashkimi Europian për mos heqjen e vizave për Kosovën. Në këtë aspekt, ai foli për të drejtën ndërkombëtare duke theksuar se nuk mund të ketë një gjysmë-shtet.

“Për Shqipërinë, Kosova është një shtet sovran, i pavarur dhe i barabartë me të ngjashmin e tij. E drejta ndërkombëtare nuk njeh gjysmë shtete. Kjo drejtësi, e drejta ndërkombëtare është ajo e të drejtave të njeriut që nuk njeh gjysëm njerëz. Ne i kemi mirëpritur dhe i mirëpresim në çdo çast të gjitha dinamikat dypalëshe apo shumëpalëshe që çojnë drejt plotësimit kuadrin të gjymtuar të Kosovës dhe dinjitetit të popullit të lëvizjes së tij të lirë.

Mbetemi të zhgënjyer nga qasja e BE dhe atyre shteteve që janë në themel të pavarësisë së Kosovës, në raport me të drejtën për lëvizjen e lirë. Ja pse themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës ishte hapi i duhur në drejtim të plotësimit të kuadrit të një shteti që nuk mund të jetë një gjysmë-shtet. Por vonesat në procese si Interpoli më së fundmi janë shfaqje dekurajuese. Kosova ka shfaqur që në krye të herës dëshirën për të kapërcyer të shkuarën përmes një dialogu të sinqertë. Kosova ka treguar se është në gjendje të luajë rolin e saj ndërkombëtar“, tha Kryeministri Edi Rama, duke folur me nota kritike ndaj Serbisë dhe Bashkimit Europian.

Kurse Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj u shpreh se nuk mundet që të presin pafundësisht nga ndërkombëtarët për çdo gjë, teksa theksoi se ka përmbushur të drejtat e saj dhe pret që këto të drejta të respektohen edhe nga misionet vendimmarrëse të Bashkimit Europian.