Arrestohet portieri i Partizanit, Alban Hoxha. Policia jep detajet.

587

Nga skuadra e Partizanit nuk ka lajme të mira. Portieri i ekipit, Alban Hoxha, është arrestuar ditën e sotme nga policia për drejtim mjeti nën konsumin e alkoolit. Burime për “Panorama” kanë mësuar se Hoxha gjendet në komisariatin nr. 1 në kryeqytet. Ai është arrestuar në orët e para të mëngjesit të sotëm dhe pritet të dalë për masë sigurie në gjykatë ditën e martë, për të mësuar nëse do të qëndrojë në paraburgim apo do të lirohet.

Siç mëson “Panorama”, në testin e alkoolit Alban Hoxha ka rezultuar në masën 0.52 miligramë për litër, ndërsa norma e lejuar është 0.30 miligramë për litër.

31-vjeçari Hoxha mungoi javën e fundit ndaj Flamurtarit, por rikuperimi dukej se po shkonte mirë dhe do të ishte gati për takimin e ditës së premte ndaj Tiranës. Tashmë mbetet për t’u parë si do të shkojë kjo çështje në lidhje me gardianin e “demave”, siç njihet Hoxha, i cili, vetëm 2 ditë më parë festoi ditëlindjen.

Njoftimi i Policisë Tiranë

Policia Rrugore arreston në flagrancë tre shtetas për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit. Nga shërbimet e Policisë Rrugore u arrestuan në flagrancë shtetasit:

– D. A., 25, vjeç banues në Tiranë, pasi në rrugën “Isuf Elezi”, u kap nga shërbimet e policisë rrugore duke drejtuar në gjendje të dehur mjetin.

– L. L., 24 vjeç, banues në Tiranë, pasi në Rrugën e Kavajës, u kap duke drejtuar në gjendje të dehur mjetin.

– A. H., 31 vjeç, banues në Tiranë, pasi në rrugën e “George W. Bush”, u kap duke drejtuar në gjendje të dehur mjetin. Materialet në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”, parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal.