Alfred Trebicka: Arti nuk do investime si për kioska, me krijimtarinë me 5 lekë nuk konkurrojmë dot jashtë

542

Festivalet e teatrit duhet të jenë më të mirëorganizuar dhe nëse ka probleme përgjegjësia shkon te organizatorët. Regjisor dhe aktor, prof. Alfred Trebicka shprehet se në art në vendin tonë investohet pak prej vitesh. Sipas tij, produksionet teatrore duhet të mbështeten më shumë me financime shtetërore. Por sa i takon festivaleve të teatrit, sipas tij këto aktivitet nuk duhen menduar si një festë ditëlindjeje, por të jenë me kritere të qarta dhe me përzgjedhje më të mirë për shfaqjet teatrore. Në intervistën për “SOT” prof. Alfred Trebicka pohon se edhe vetë krijuesit duhet të gjejnë financimet për produksionet artistike në teatro, por dhe bizneset duhet të jenë më pranë aktiviteteve. Për regjisorin dhe aktorin arti nuk behet me 5 lekë dhe nëse do të jemi në këto kushte nuk mund të përballemi me teatrin jashtë.

Me rol në dramën “Maskuar” nga Ilan Hatsor me regji nga Milto Kutali ju erdhët së fundmi në skenën e teatrit. Sipas regjisorit vepra ka pasur sukses dhe është vënë në 100 skena të botës. Për ju sa rëndësi marrin mesazhet e veprës?

Vepra “Maskuar” e autorit Ilan Hatsor është një dramë sa sociale aq dhe psikologjike. I vendos ngjarjet në Palestinën e viteve ‘90 dhe autori gjithë veprimin dramatik e ka vendosur brenda gjirit të familjes. Tre protagonistët në vepër janë vëllezër. Në vepër është dhe personazhi i fëmijës, por ai është i krijuar nga regjisori nuk është në vepër. Drama i vendos ngjarjet në vitet ‘90 të bregut perëndimor në një fashat dhe gjithë atë çka ndodh në Izraelin apo Palestinën e sotme autori e ka sjell nëpërmjet kësaj përleshjeje ndërmjet tre vëllezërve arabë, pa pasur prezent asnjë hebre në vepër. Por megjithatë izraelitët janë prezent në vepër sepse gjithçka vjen si pasojë e represionit të tyre, që i ka çuar këta 3 vëllezër në këtë pikë kritike të përplasjes mes tyre. Sa i takon veprës, unë e kam thënë dhe më parë që nga ana dramaturgjike është e ndërtuar shumë saktë dhe drejtë. Autori njeh mirë realitetin e vendit, ku i vendos ngjarjet dhe njeh mirë psikologjinë e karaktereve përkatës si dhe përkthimi i veprës nga Eda Derhemi është shumë cilësor. Ne kemi dhënë dhjetë repriza deri tani në Teatrin Eksperimental dhe këtu në sallën e madhe të Universitetit të Arteve. Shfaqjet do të vazhdojnë edhe me mbështetjen e Ambasadës Palestineze, që ka qenë prezent në reprizat që kemi dhënë dhe shumë natyrshëm ata u bënë pjesë e këtij produksioni. Në datën 30 nëntor vepra do të jetë sërish, mund të jetë dhe në sallën Black Box në kuadër të Ditës së Solidaritetit Ndërkombëtar të Palestinës. Një shfaqje sociale në kuadër të kësaj dite dhe më pas është planifikuar dhe menduar të ketë një tur në disa teatro në rrethe, që do të fillojë në Elbasan, Korçë dhe më pas do të vijojë Fieri, Shkodra, Vlora. Është një projekt, që ka qenë i menduar që në fillim i tillë, që të mos mbetet vetëm në hapësirën e Tiranës, dhe me mbështetjen e Ambasadës Palestineze, zotit ambasador Hani, që u treguan të gatshëm të bëheshin pjesë. Do të jetë në dhjetor por edhe në janar do të vijojë të jetë në skena.

-Ju përmendët, që do të vijoni turin në disa skena të tjera jashtë Tirane. Por kemi teatro në rrethe që kanë kushte që lënë për të dëshiruar. Çfarë mund të thoni?

Ky është një tjetër problem më pas, por sigurisht që për ne nuk mund të jetë fort komode që të lusha në skena që nuk plotësojnë kushtet. Por ne tashmë jemi mësuar të luajmë në terrene të tilla. Ngushëllohemi me faktin që në Korçë ka një infrastrukturë të mirë skenike dhe profesionale. Në skena të tjera mund të kenë problemet e tyre por dy rrugë janë, ose nuk do bësh asgjë ose do të shkosh të punosh në këto lloj kushtesh, por që ka nevojë për ristrukturime në teatro kjo dihet.

-Për ju sa kanë bërë bashkitë për teatrot?

Aty ku ka interes kryetari i bashkisë dhe që ka vullnet të mirë, edhe investohet qoftë në projekte dhe rregullimin apo ristrukturimin e teknikës dhe teknologjisë që është sot e domosdoshme në një teatër profesionist. Aty ku është vullneti i kryetarëve të bashkive edhe funksionon. Kemi rastin e Gjirokastrës, që bëri së fundmi një festival teatri. Ishte falë vullnetit të kryetares së bashkisë që e mbështeti dhe u krijua mundësia. Pastaj te pjesa e nivelit artistik, është gjë tjetër që varet nga produkti teatror.

-Çfarë përshtypjesh patët nga Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit, që u zhvillua në Tiranë?

Unë përpiqem që ti shikoj në tërësinë e gjërave pozitive pavarësisht kusureve, që mund të kenë që fillojnë që nga mënyra e perceptimit të aktivitetit nga filozofia se pse bëhet ky festival. Në këtë pikë them që të gjitha këto lloj tubimesh apo mitingjesh që organizohen kanë shumë kusure dhe probleme, ata që e bëjnë nuk janë të qartë se pse e bëjnë. Mjaftohen me një festival mbarëkombëtar dhe kaq, dhe nuk merr atë formatin e duhur, të paktën nga përvojat që kemi me festivalet e formatit A, që janë në botë. Por unë them që gjëja kryesore është te koncepti apo filozofia e ndërtimit të festivalit. Nuk duhet të mjaftohesh thjesht me festival mbarëkombëtar apo kombëtar i teatrit dhe kaq. Duhet të jetë shumë më i argumentuar dhe specifikuar, sepse bëhet që në përzgjedhjen e veprave që vijnë. Në rastin konkret, festivali nuk kishte ndonjë përzgjedhje specifike. Por nuk mund të mjaftohemi vetëm me këtë, që sa mirë pas kaq vitesh u rikthye ky festival. Dhe ky është një fenomen që po ndodh rëndom tek ne dhe përgjegjësia është e organizatorëve.

-Në këtë rast ishte Teatri Kombëtar dhe Ministria e Kulturës, që mbështeti festivalin?

Teatri Kombëtar, por nën protektoratin e Ministrisë së Kulturës. Është tjetër gjë promo dhe propaganda dhe tjetër ajo që serviret realisht. Ok, shumë mirë që u bë një promo e tillë për festivalin, por që gjërat të shkojnë atje ku duhet dhe si duhet, kërkohet që së pari këto festivale të jenë më të kompletuar dhe seriozë në strukturën organizative. Festivali është një institucion, jo një ditëlindje që po feston dikush. Festivalit serioze në botë funksionojnë me punë 1 vjeçare nga një edicion në tjetrin dhe e gjithë kjo hapësirë mbulohet nga borde, që e drejtojnë dhe selektorë të nivelit profesional që përzgjedhin shfaqjet. Pra është një rrugëtim jo sporadik. Festivali në Tiranë duhet të ishte më i mirëorganizuar. Një gjë që u vu re në këtë festival, apriori të gjitha produksionet indipendente nuk ishin. Sepse ishe marrë kriteri që duhet të jenë trupat zyrtare të institucioneve, dhe apriori ishin lënë jashtë produksionet indipendente. Unë nuk them se janë të gjitha të nivelit të lartë, por ka pasur dhe shfaqje që kanë qenë të nivelit të mirë, por lihen jashtë. Festivali përveçse mbarëkombëtar duhet të ketë një logo specifike, përshembull do bëjmë festival me dramaturgji kombëtare ose me dramaturgji klasike, dhe kjo është kusht. Ti nuk mund të futësh në garë një dramaturgji antike me një tjetër të karakterit psikologjik? Në festivalin në Tiranë ishte miks dramaturgjia, sepse është ndjekur vetëm që të jenë pjesëmarrëse teatrot me trupa. Por duhet të ketë kritere të mirëfillta festivali, që të zhvillohet. Gjëja pozitive që pati festivali në Tiranë ishte vetëm rikthimi i tij, me shpresë që do të vijojë. Por duhet të jetë dhe bordi që të bëjë përzgjedhje më të forta për në festivale.

-Jemi në muajt e fundit të këtij viti, për ju çfarë është me emergjent në jetën artistike?

Situata vazhdon të jetë e njëjtë, pavarësisht se unë do të thosha që numri i projekteve teatrore është rritur, qoftë nga institucionet shtetërore apo dhe iniciativa private. Por në aspektin financiar apo të mbështetjes nuk ka ndonjë ndryshim. Unë do të thosha që në këtë pikë një risi mund të jetë mbështetja e iniciativave private për krijimin e institucioneve private teatrore. Kjo do të thotë që iniciativat private për teatrin duhet të kenë një suport fillimisht shumë më të fuqishëm nga shteti. Nëse ne nuk shkojmë te koncepti i bërjes art që çdo krijues duhet të hedhë pjesën e vet në krijimtari, duhet të ketë përqindjet e veta. Pra të rriskojë në kuptimin financiar, sepse nëse ne do të vazhdojmë akoma duke menduar që po marrim 5 lekë nga shteti dhe po bëjmë art nuk do kemi cilësi. Nëse do të futet mendësia që një produksion artistik teatror ku të jetë pjesë edhe vetë krijuesi përshembull me 10 përqind apo 15 atëherë gjërat do të fillojnë të lëvizin.

-Po a ka mundësi një regjisor shqiptar me këto probleme ta bëjë këtë?

Duhet ta gjejë mundësinë. Ne kemi gati 30 vjet që themi, a ka mundësi krijuesi shqiptar? Ne flasim për përgjegjësi të krijuesve ndaj taksapaguesve, sepse ato që të jep shteti janë të taksapaguesve. Vazhdon akoma kjo që jam krijues dhe marr paratë nga shteti dhe nëse bëhet mirë, nëse jo nuk ka gjë. Pra një krijues duhet ta gjejë dhe vetë mundësinë për produksionin. Nëse një projekt teatror shkon përshembull 2 milionë lekë të reja, dhe unë po flas në parim që10 përqind të vërë krijuesi për produksionin, sepse kjo shton përgjegjësinë qoftë financiare apo profesionale. Një problem tjetër në teatrin duhet të rritet çmimi i biletës. Duhet dhe të afrohen bizneset më shumë pranë teatrit, edhe në rrethe po ashtu duhet të mbështesin më tepër aktivitetet.

-Nga artistët është pohuar që teatri shqiptar nuk ka mundësi të përballet me teatrot jashtë, për shkak dhe të buxheteve të pakta. Si do të ndikojë kjo?

Ti do të përballesh me Europën kur të shkosh dhe në parametra financiare me atë. Nëse Europa bën produksione teatrore me 150 mijë euro, ne e kemi një shfaqje 10 mijë euro. Atëherë çfarë do të përballosh ti? Je i humbur. Edhe Teatri Kombëtar nuk ka se si të dalë jashtë me shfaqjet, sepse ata që janë të kategorisë A në Europë kanë parametra. Nëse ne shkojmë me një produksion teatri dhe themi kemi bërë investim, sepse shkoi 20 mijë euro, por për ata mund të jetë sa për një kioskë. Pra nuk ecet para me art, duke bërë investime si për kioska. Arti do investime, dhe jo si për kioska. Pra kur flitet për rritje buxhetesh, flitet për rritje prestigji dhe mundësish, dhe jo pasurim të artistëve. Nuk pasurohemi ne, por projekti, prurja, mundësia e teatër bërjes, apo filmbërjes. Ne kemi dhe kinemanë që ka probleme financiare. Si do të përballemi ne me Europën? Me krijimtarinë e madhe dhe artin madh, që ne po bëjmë me 5 lekë?

-Po Ministria e Kulturës sipas jush sa përgjegjësi ka për problemet që pohojnë artistët?

Ministria e Kulturës ka përgjegjësinë, që e koncepton dhe percepton këtë momentin e mbështetjes si për të mbajtur frymën në jetën artistike. Pra po ti japësh një regjisori 3 milionë lekë të vjetra, si ke dhënë asgjë. Nuk mund të bëhet dot gjë me atë buxhet.

Intervistoi: Julia Vrapi