Mediat britanike elozhe Taulant Xhakës, e “fshiu” Bejlin nga fusha

376

Mediat britanike kanë vënë theksin në dobësitë që shfaqi Uellsi në miqësoren me Shqipërinë, ndeshje e luajtur më 20 nëntor në stadiumin “Elbasan Arena”. Në fakt, në këtë ndeshje të fituar nga tanët 1-0, nuk pati një ekip dominues në fushë. ishte një lojë deri diku e ekuilibruar, por diferencën e bëri goli i Balajt i shënuar me penallti në mesin e pjesës së dytë. Një nga lojtarët më të vlerësuar në fushë ishte Taulant Xhaka dhe janë pikërisht mediat britanike që e kanë zgjedhur si lojtarin e ndeshjes, qoftë për faktin se fitoi 11-metërshin e shndërruar në gol nga sulmuesi shkodran bekim Balaj, por edhe në peshën që pati për lojën dhe rezultatin e ndeshjes në tërësi. Xhaka madje luaji aq mirë sa e bllokoi në 25 minutat e fundit të ndeshjes yllin e Uellsit Gareth Bejl. Sulmuesi i Realit të Madridit u ndodh në dy-tri raste para mesfushorit kuqezi, por nuk arriti të bënte asgjë. Pra Xhaka e “fshiu” Bejlin nga fusha e lojës.

“Xhaka ishte një lojtar me potencial të madh, që i bëri të gjitha vetë, qoftë në shkatërrimin e aksioneve të Uellsit, ndërtimin e aksioneve të shqiptarëve dhe njëherësh fituesi i penalltisë që u shndërrua në gol. Ai e “fshiu” nga fusha një lojtar si Gareth Bejl që shquhet për futbollin fizik e teknik, duke i fituar të gjitha duelet me të. Xhaka meritonte të ishte njeriu i ndeshjes për atë që dha në fushë”, shkruajnë mediumet sportive britanike. Nga ana tjetër, po bëhet virale një video e shkurtër ku jepet Xhaka përballë Bejlit, të cilin e huton me pasimin e tij në vijën fundore për Memushajn, ndërsa vlonjati i jep nja pasim “llokum” Uzunit që me portën e boshatisur bën më të vështirën duke e nxjerrë topin jashtë. Kështu, gazeta “As” ka publikuar një video kur Taulant Xhaka turpëron Bejlin me një lëvizje që uellsiani nuk e priste. “Bejl, më shumë Bejl se kurrë: veprimi që turpëroi yllin e Uellsit”, ishte titulli i videos të shpërndarë nga gazeta spanjolle. “Shumë tifozë të Uellsit kanë shfaqur pakënaqësi me yllin e tyre të niveli të lartë, pasi kanë parë këtë video të miqësores kundër Shqipërisë, ku Xhaka ‘ia zhduk’ topin atij”, bashkëngjitej në sqarimin e videos.

Ndërkohë, edhe pse një miqësore, nuk mungoi tensioni në fushën e lojës, me në qendër Taulant Xhakën dhe lojtarin uellsian, Bruks. Një dyluftim në mesfushë mes dy futbollistëve çoi në përplasje fizike, ku mesfushori Xhaka goditi me kokë lojtarin uellsian. Edhe pse mendohej se ky veprim i Xhakës do të flitej dhe kritikohej shumë në mediat britanike, nuk ka ndodhur kështu. Përkundrazi, “DailyExpress” ka mbrojtur mesfushorin shqiptar. Sipas tyre, Xhaka është provokuar nga lojtari Bruks, i cili edhe e ka goditur me bërryl numrin 14 të kombëtares. Sipas tyre, Bruks duhej të ishte lojtari i parë që duhej të ndëshkohej me të kuqe, pasi reagimi i Xhakës erdhi vetëm pas provokimeve dhe të sjelljeve të tij antisportive kundrejt mesfushorit shqiptar. Duhet pranuar se Xhaka është një lojtar me peshë i formacionit kuqezi. Trajneri Kristian Panuçi e ka pasur atë zgjedhje të parë, sidomos për agresivitetin që shfaq në fushën e lojës dhe përkushtimin për të ndihmuar grupin. Sa herë që luan Xhaka Kombëtarja ia del të marrë rezultat pozitiv. Futbollisti i lindur në Zvicër por me origjinë nga Kosova, ka dhënë më të mirën e tij për ekipin dhe është një lojtar që nuk e diskuton asnjëherë 11-shen titullare, qoftë dhe për faktin se ai aktivizohet rregullisht me Bazelin. Nga ana tjetër, Xhaka është një futbollist i dashur dhe për publikun, ku zemrat e tifozëve u lidhën me këtë futbollist për qëndrimin që ai mbajti në Beograd kur dhunuesit serbë u futën në fushë dhe tentuan të rrëmbenin flamurin që valëvitej nga droni i lëshuar prej Ismail Morinës, njohur ndryshe edhe si Ballisti.

Adriatik BALLA