“Do vazhdoj misionin tim”, kryeinfermierja e diagnostikuar me kancer rrëqeth me historinë e saj

386

Valentina është kryeinfermiere në Qendrës Shëndetësore të Patosit, por që prej një viti është diagnostikuar me kancer malinj të stomakut. Ajo kishte zgjedhur rubrikën “Ka një mesazh për ty” për të rrëfyer historinë e saj të trishtë, si dhe për të falenderuar tre mikeshat e saj që i kanë qëndruar pranë.

“E kreva operacionin në një spital të Athinës, falë fëmijëve. Erdhi momenti i bërjes së kimioterapive, se pas operacionit unë bëra biopsi, dhe përgjigjia ishte e njëjtë, tha malinj i stomakut, që do të thotë kancer femër i stomakut. Por asnjëherë nuk duhet të mendojmë të keqen. Unë kam qenë një femër shumë aktive, në familje, në profesionin tim. Asnjëherë nuk e kam thënë fjalën u lodha apo nuk mundem ta bëj këtë. Në kimioterapinë e dytë unë bëj analiza. Fatkeqësisht ishte rezultati ai që mua më thanë në Greqi, që nuk është e vlefshme të bësh kimioterapitë se nuk përfiton gjë. Por unë thashë, jetën time në dorë e ka Zoti, nuk mund ta ketë asnjë. Dhe unë do përpiqem ta bëj dhe këtë se dua të bëj më të mirën e mundshme. Fatkeqësisht nuk dhanë rezultat, dhe unë i ndërpreva. Unë këtu kam thirrur tre koleget e mia. Dhe ato përfaqësojnë gjithë qendrën shëndetësore.” – u shpreh ajo.

Nga studio e emisionit “E diela shqiptare”, Valentina tregoi sesi mikeshat e saj e mbushin plot shpresë, madje i kishin dhuruar për 30-vjetorin e martesës mundësinë për t’u bërë edhe njëherë nuse.

“Nëse ato nuk do ishin të më falnin mua dashuri dhe lumturi, unë nuk do isha sot këtu Ardit, do isha në krevat duke luftuar dhe jetuar me sëmundje. Kur kam ardhur në qytetin tim, në momentin që kam dalë nga shtëpia në mëngjes, kam dëgjuar fishekzjarre dhe thirrje që thonin ‘Vali ti nuk je vetëm, na ke ne. Ne do të kalojmë çdo gjë bashkë’. Në 30 vjetorin e martesës, një mikja ime kishte shkuar në një sallon bukurie, kishte marrë një fustan të bardhë, më çoi të parukierja dhe atje më kanë nxjerrë fustanin e bardhë dhe unë e kam veshur. Kemi shkuar në Apolloni, kemi bërë një videoklip ku atje i kam premtuar bashkëshortit tim që unë do jem ajo Valentinë edhe për 130 vite të tjera”. – tregoi ajo.

E vetmja kërkesë që kishte Valentina për mikeshat e saj, ishte ta linin të përfundonte misionin e saj si infermiere për t’i shërbyer të tjerëve deri në ditët e fundit.

“Nga sot historia ime mbaron, dhe këtë ti Jonida e kupton shumë mirë”. Kemi qenë bashkë kur unë stopova kimioterapinë për shkak të rezultateve të analizave. Dhe duhet të kuptoni që sot mbaron Valentina e sëmurë. Është një Valentinë aktive ashtu siç ka qenë dhe ju shumë herë e keni shprehur duam të shikojmë Valentinën e fortë dhe plot energji. Dhe unë e tillë jam, e tillë do vazhdoj të jem. Nuk dua të më shikoni më ashtu. Vjen urgjencë, ka trajnim, nuk dua të më pyesni a mundesh. Unë gjithmonë mundem të bëj më të mirën. Dhe kështu do vazhdoj të çoj deri në fund misionin tim. Ju faleminderit, jeni dashuria ime më e madhe. Nëse unë ju kam thirrur ju të treja sot, ju përfaqësoni gjithë qendrën shëndetësore Patos. Falenderoj Zotin, falenderoj veçanërisht nënën e Jonidës, ka lindur një vajzë për vete dhe për mua”.

Nga ana tjetër, tre koleget dhe mikeshat e Valentinës u emocionuan së tepërmi dhe i premtuan kryeinfermieres se do të jenë gjithmonë pranë saj.