Ahmetaj: Ata që e kanë rrogën mbi 10 mijë lekë të paguajnë taksë mbi të ardhurat

573

Që prej kohës kur erdhi në pushtet kryeministri Rama njoftoi vendosjen e taksës progresive për rrogat e qytetarëve.

Deri tani kjo taksë u është marrë atyre që e kanë pagën bruto mbi 30 mijë lekë të reja në muaj. Ditët e fundit është diskutuar nga deputetët e mazhorancës në Komisionin e Ekonomisë që të rritet kufiri i poshtëm i pagës bruto të patatueshme nga 30 mijë në 40 mijë lekë në muaj.

Mirëpo ministri i Financave, Arben Ahmetaj ka ardhur me një deklaratë tjetër që rrezikon të tatohen edhe ata që i kanë rrogat 10 mijë lekë të reja.

Ahmetaj ka thënë:

Tatimin për të ardhurat personale do ta diskutojmë kur të vijmë nen për nen, besoj unë që janë 55% e të punësuarve që janë jashtë sistemit fiskal, pra nuk kontribuojnë fiskalisht përmes tatimit mbi të ardhurat personale, besoj që mund të maturojmë një propozim që ta ulim pragun nga 300 ta çojmë 100, apo t’i fusim në sistem në taksë 1,5% të gjithë. Unë e kam bërë një propozim, besoj që do të diskutohet në të ardhmen që t’i fusim të gjithë kontribues me 1,5% të ardhurash personale dhe bëjmë gjithë gamën e të punësuarve brenda sistemit kontributiv fiscal.”

Deri në 6-mujorin e parë të këtij viti, në Shqipëri ishin rreth 1 milion e 300 mijë të punësuar. Nëse zbatohet kjo formulë, atëherë ulja e pragut do të përfshinte të gjithë punëmarrësit në vend. Efektet financiare nuk janë bërë të ditura dhe çdo gjë do të varet nga propozimi konkret.

Paga minimale në Shqipëri për efekt fiskal është 24 mijë lekë në muaj, kështu që nëse merret në konsideratë shkalla më e ulët e propozuar nga ministri i Financave për një taksim prej 1,5% të pagës, çdo i punësuar do të duhet të paguajë nga 360 lekë deri në 450 lekë më shumë në muaj si tatim mbi të ardhurat personale.