Sot afati i fundit i Metës për Lleshin, Ministria e Mbrojtjes kopsit dosjen për gjeneralin, presidenti sulmon SHBA-BE

380

Presidenti Ilir Meta duhet të vendosë sot nëse do e dekretojë ose jo Sandër Lleshin për ministër të Brendshëm. Të premten e javës që lamë pas kryeministri i dërgoi sërish emrin e Sandër Lleshit presidentit dhe afati shtatë ditor i përcaktuar në Kushtetutë skadon sot. Në fillim të kësaj jave Meta i dërgoi një shkresë me 14 pyetje Ministrisë së Mbrojtjes, duke kërkuar sqarime për karrierën e Lleshit. Por gazeta ka mësuar se ministrja Olta Xhaçka ka kopsitur dosjen për gjeneralin. Në një përgjigje zyrtare për gazetën, Ministria e Mbrojtjes ka konfirmuar se i është kthyer përgjigje presidenti, duke i dorëzuar atij të gjitha informacionet e kërkuara. “Ministrja ka respektuar të gjitha procedurat që përcakton ligji, duke kthyer përgjigje ndaj Presidentit”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Jo zyrtarisht gazeta ka mësuar se në dosjen që i është dërguar Presidentit janë dhënë dokumente për shumicën e pyetjeve që ka drejtuar Meta. Së pari, ministria ka sqaruar statusin e gjeneralit, pasi Meta ishte i paqartë nëse ishte aktiv apo jo në ushtri. Po ashtu ministria ka sqaruar me detaje të gjithë përballjen gjyqësore me Lleshin. Presidentit i janë vënë në dispozicion vendimet e gjykatave dhe të gjitha argumentet e përdoruara prej saj në apelimin e çështjeve. Burime i thanë gazetës se ministria ka dhënë përgjigje shteruese për të gjitha pikëpyetjet e ngritura nga Presidenti. Gazeta pak ditë më parë deklaroi se Meta i ka drejtuar dhe disa pyetje sekrete Ministrisë së Mbrojtjes, pasi hedh dyshime se ka pasur takime mes gjeneralit dhe individëve të ndryshëm që dyshohet se janë pjesë e agjenturave të huaja. Edhe për këto pyetje ai ka marrë përgjigje. Tani topi është në anën e Metës, i cili sot deri në mbrëmje duhet të vendosë nëse Lleshi do bëhet ministër, apo do hapë një front lufte me qeverinë.

Reagon Meta

Ditën e djeshme për këtë çështje ka reagur vetë Presidenti Ilir Meta , teksa ka dhënë sinjale se sot mund ta dekretojë zotin Sandër Lleshi si ministër të Brendshëm. Gjatë një interviste për mediat, Meta deklaroi se po shkëmben informacione me institucionet përgjegjëse. “Nuk kam marrë asnjë vendim. Vendimi im është që po bashkëpunojmë. Po vazhdojmë këtë proces me Ministrinë e Mbrojtjes, e cila është ministrja përgjegjëse për këtë çështje”, tha ndër të tjera Presidenti Meta. Po ashtu, Meta dha sqarime edhe pse e refuzoi kandidaturën e Lleshit. “Faktin “që nuk kisha krijuar bindjen e plotë do të thotë bindjet bazohen në bazë të Kushtetutës. Kushtetuta jonë është sipas modelit italian, kur Presidenti ka kompetenca. Nuk është siç e mendojnë disa që e lidhin me Kushtetutën e disa vendeve të tjera, ku Presidenti ka vetëm rol ceremonial”, deklaroi ai. Ndërkohë, Presidenti Ilir Meta ka sulmuar ditën e djeshme edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian. I pyetur nëse ka patur presion nga ndërkombëtarët, Meta tha se askush nuk mund t’i bëjë presion dhe se asnjëherë nuk do të shkelte Kushtetutën edhe nëse do të ja kërkonin ndërkombëtarët. “Nuk pyes për asnjë presion ndërkombëtar”, deklaroi Presidenti Ilir Meta.

Kliti Topalli