Përleshje para bashkisë. “Unaza e Re”, lëndohen 7 policë bashkiakë

506

Protesta e banorëve të Unazës së Re është kthyer sërish para Bashkisë së Tiranës, por këtë radhë ka qenë më e ashpër, pasi janë hedhur tymuese, shashka dhe vezë kundrejt bashkisë dhe policëve bashkiakë, të cilët kishin krijuar një gardh për të mbrojtur institucionin.

Protesta është zhvilluar ndërkohë që brenda institucionit të bashkisë po zhvillohej mbledhja e Këshillit Bashkiak. E ndërsa këshilltarët e djathtë dhe ata të LSI-së duhej të ishin në mbledhjen e radhës së këtij këshilli, ata kanë mbështetur protestuesit.
“Projekti prej 40 milionë eurosh u jepet kompanive klienteliste. Banorët duhen dëmshpërblyer”, tha Kreshnik Çollaku.
Ndërsa Erisa Xhixho u shpreh se “qeveria duhet të mbajë premtimin për t’i dëmshpërblyer”.
Protesta e banorëve të Unazës së Madhe është mbështetur që në fillim edhe nga deputetë të Partisë Demokratike.
Pas rreth 1 orë e 30 minuta, kur edhe përfundoi protesta e banorëve, Këshilli Bashkiak miratoi të gjitha vendimet e parashikuara në rendin e ditës. Ndërkohë që vendin ku u zhvillua protesta e rrethoi policia e rendit, pasi ka dyshime se gjatë protestës u hodh lëndë plasëse artizanale, si pasojë e të cilave kanë mbetur të plagosur 7 policë bashkiakë, 3 prej të cilëve të dëmtuar nga goditjet me mjete të forta dhe 4 të tjerë kanë pësuar djegie nga shashkat e hedhura.