Nga Panairi i Librit nuk duhet të dilni pa blerë këto 5 libra, më të shiturit e sezonit

826

Që nga kjo e mërkurë e deri të dielën, më 18 nëntor, Panairi i Librit do t’ju ofrojë mijëra tituj librash në stendat e dhjëtëra shtëpive botuese. Disa kopertina mund t’i keni ndeshur gjatë këtyre muajve, edhe disa propozime ju kanë ardhur edhe më herët për vjeshtën (lexo këtu), megjithatë, janë 5 libra që shtëpia botuese “Pegi” i ka vendosur në stendën e vet si më të shiturit e këtij sezoni.

Edhe gjatë këtij panairi, titujt janë joshës, por përmbajtja edhe më shumë.

1. Guret e vetmisë nga Tom Kuka

Në një vend diku mes kufijsh, një grusht njerëzish përpiqen të ndërtojnë jetën dhe të ardhmen e tyre, në vendin ku kanë pasur rrënjët e të parëve, nën hijen e së shkuarës, duke u ruajtur nga pabesia e armikut… Kjo është historia që vjen nga një realitet i njohur e përcillet në botimin e ri të shtëpisë botuese “Pegi”. “Gurët e vetmisë” nga autori me pseudonimin Tom Kuka sjell një rrëfim origjinal e të sinqertë, me gjuhë të pastër e të pasur. Një histori shqiptare, gdhendur në germa.

Informacion i përgjithshëm rreth librit

E shkuara, e sotmja dhe e ardhmja gërshetohen dhe rrjedhin lirshëm nga njëra te tjetra si të ishin enë komunikuese, retrospektiva dhe kujtimet, herë pas here, bëhen njësh, dhe vetë personazhet gjenden në një kohë të pakohë.

Boshti i romanit përsillet rreth masakrës së Paramithisë, ku 72 burra, bujarë të dyerve më të mëdha çame, u thirrën nga mitropoliti grek kinse për të vendosur paqen mes palëve, por u prenë në besë dhe u vranë të gjithë në përroin e Selanit.

Shpirtrat e tyre, të ngecur mes dy botësh, nuk gjejnë paqe dhe përsillen mbi një barkë në lumë, si Karonti që shpinte të vdekurit në Had. Avduli fantazmë kërkon të paralajmërojë jo vetëm të birin, në të ardhmen, por edhe Feritin, në të shkuarën për mynxyrën e madhe që po gatitet. Oguret e zeza që përshkojnë kohërat duan t’i nxitin njerëzit të lënë laçkë e plaçkë e të ikin, të shpëtojnë kokën. Armiku kërkon jo vetëm kamjen e tyre, por të ndërrojnë gjuhë e emër, të asimilohen krejtësisht, derisa t’u shuhet fara.

2. Dita e mbetur nga Kazuo Ishiguro

Libri me një fjali

Një rrëfim i qetë dhe i shtruar mbi mungesën e kurajës për të bërë zgjedhjet, që mund të vënë në rrezik jetën e kontrolluar dhe të planifikuar, për ne, nga të tjerë.

Informacion i përgjithshëm rreth librit

Ngjarjet e këtij romani rrëfehen nga mazhordomi Stivens, i cili për më shumë se tridhjetë vjet ka jetuar në Darlington Holl, rezidenca madhështore e lordit Darlington. Stivensi rrëfen një pjesë të jetës së tij, diku nga mesi i viteve ’30, një periudhë e ngarkuar për të personalisht, por edhe për historinë e Anglisë dhe të Evropës. Punëdhënësi i tij është një personazh publik, tejet i angazhuar edhe politikisht. Stivensi, nga ana tjetër, nuk ka njohuri të thella mbi çështje të ndërlikuara politike. Ai është njeri i përmbajtur, i cili krenohet me sjelljen e tij prej xhentëlmeni të mirëfilltë dhe si të vetmen përparësi ka t’i shërbejë sa më me dinjitet punëdhënësit të tij. Nëpërmjet asaj që tregon, por sidomos, nëpërmjet asaj që nuk përmendet, dalin në pah, pak e nga pak, dilemat e jetës së tij. Në veçanti, në roman dalin në pah ndjenjat e papranuara dhe të papërjetuara për zonjën Kenton, guvernanten, e cila, ndryshe nga Stivensi, është e ndërgjegjshme për pasojat dramatike që vetëmohimi i tij do të ketë mbi jetët e të dyve. “Dita e mbetur” fitoi çmimin Man Booker Prize në 1989. Mbetet një prej veprave letrare më të njohura dhe të respektuara në Angli. Ndër të tjera, ky roman është përfshirë në listën e përpiluar nga gazeta The Guardian, “Libra pa të cilët nuk mund të jetohet”, dhe është përshkruar nga revista The Economist si vepra më e famshme e autorit fitues të çmimit “Nobel”, Kazuo Ishiguro.

3. Saga e Mikeshës Gjeniale nga Elena Ferrante

Përshkrim i shkurtër

Një projekt i madhërishëm, një sagë me katër libra ku rrëfehet miqësia femërore, ajo midis Lilës dhe Elenës, që nga fëmijëria, në Napolin e pasluftës, e deri në ditët tona: Një histori që duket sikur njeh vendin ku jetoni ju, një libër që ngjan i shkruar për ju, që duket personal dhe gjithëpërfshirës. Autorja e kësaj sage të përkthyer në 40 vende të botës, Elena Ferrante, konsiderohet si shkrimtarja bashkëkohore më me ndikim në letërsinë e ditëve tona.

4. Ditari i nje trupi nga Daniel Pennac

“Ditari i një trupi”, nga autori francez, Daniel Pennac, nën përkthimin fantastik të prof. Edmond Tupes, është një roman shumë argëtues, popullor, por edhe thellësisht filozofik. Në të rrëfehet për trupin, për surprizat e shumta që na rezervon, për makthet dhe dëshirat e tij. Nëpërmjet këtij ditari tejet të sinqertë dhe frymëzues, kuptojmë rëndësinë themelore që ka trupi, çdo milimetër i tij, çdo grimcë lëkure. Shpesh, nuk identifikohemi me trupin tonë, por identifikohemi me mendimet dhe ndjenjat tona, me vuajtjet dhe lumturinë, por trupi ynë dhe gjithë imperfeksionet e tij, janë po aq përkufizuesit tanë sa edhe të fshehtat më intime.

Libri me një fjali

Ky rrëfim ka të bëjë me procesin, e gjatë sa vetë jeta, të pajtimit me trupin tonë, me këtë të huaj të brendshëm, që është njëkohësisht vetja jonë dhe një mister i përhershëm.

5. Arti për t’u bërë i paharrueshëm nga Dale Carnegie

Libri me një fjali

Ky është një udhëzues praktik dhe i domosdoshëm për t’u shndërruar në njeri të paharrueshëm e të parezistueshëm për këdo.

Ky libër, krijuar nga një prej markave më të besueshme dhe të suksesshme në trajnimet e biznesit, nxjerr në pah dhjetë teknikat thelbësore për të zhvilluar dhe përvetësuar disa cilësi e aftësi për t’u bërë njeri i dashur dhe i suksesshëm me njerëzit. Çfarë do të thotë “klas”? Si mund të spikatësh mes të tjerëve dhe të bëhesh një lider i vërtetë? Kur është koha e duhur për t’i lënë udhë të lirë intuitës në vendimet e rëndësishme? Kushdo që kërkon t’i japë një kuptim më të madh jetës së vet dhe të bëhet i zoti të ndikojë mbi të tjerët, mund të gjejë ndihmë të vlefshme në këtë libër dinamik e frymëzues.