Pak përpara se të prezantojë Këngën Magjike, Klaudia Pepa ka dy fjalë për të thënë.

533

Përtej artistëve pjesëmarrës në kompeticionin më të rëndësishëm të këngës që mbahet çdo vit, kurioziteti më i madh është pikërisht ai se kush do e shoqërojë në skenë moderatorin Ardit Gjebrea këtë herë?! Në fakt, për këtë edicion të radhës nuk ka më surpriza sepse emrat janë zbuluar tashmë…Arditi nuk do të jetë vetëm! Në maratonën e tri ditëve të realizimit të “Këngës Magjike” 2018-të, atë do e shoqërojnë bukuroshet Bora Zemani dhe Klaudia Pepa.

E në fakt, emri i Klaudias erdhi surprizë për të gjithë, por nuk mund ta fshehim që është një zgjedhje e goditur. Eksperiencat e mëparshme të balerinës së famshme shqiptare në këtë skenë, kanë qenë thjesht e vetëm në rolin e performancave në balet, ndërsa këtë herë Klaudia do të vijë ndryshe në sytë e publikut të pranishëm në sallë dhe atyre që do e ndjekin përmes ekranit.

Sigurisht që vetë ajo nuk e ka fshehur entuziasmin për këtë përvojë të re që i është besuar, ndaj pak javë përpara se të vijë në Shqipëri dhe të bëhet pjesë e magjisë së këngës, bashkë me dy bashkëprezantuesit e tjerë Arditin dhe Borën, ajo nuk i ka kursyer emocionet dhe disa fjalë të tjera të cilat ka vendosur t’i shpreh publikisht përmes një statusi në FB.

Ndër të tjera Klaudia shkruan: “Përshëndetje miq. Si ju duket lajmi i festivalit “Kënga Magjike”? Kënga Magjike ka qenë gjithmonë një pjesë e bukur  e jetës sime, kam marrë pjesë shpesh si balerinë dhe ëndërroja që një ditë të isha prezantuese dhe balerinë në të njëjtën kohë dhe ja…Faleminderit stafit dhe Ardit Gjebreas. Faleminderit familjes sime që beson gjithmonë tek unë! E lumtur që do jem afër jush. Mezi pres”.

Edhe ne mezi presim në fakt ta shohim balerinën e njohur në sfidën e saj të radhës në skenën e “Këngës Magjike”!  Me siguri që do të na lërë një shije të mirë përvoja e saj e re!