Oficeri i tragetit tregon si u shpëtuan 4 peshkatarët nga mbytja

148

Një peshkarexhe është mbytur rreth mesnatës se kaluar në afërsi të ishullit te Sazanit, teksa 4 peshkatarët qe ndodheshin ne te mbeten ne det te hapur duke rrezikuar seriozisht jetën.

“Nëse brenda një kohe të shkurtër nuk do të ishin shpëtuar nga trageti, peshkatarët në Vlorë mund të humbisnin jetën”- ka thënë oficeri i Tragetit Red Star që ishte pjesë e operacionit të Shpëtimit të realizuar nga stafi i Tragetit Brindizi-Vlore. Sipas Petrit Agaj, gjatë kohës së lundrimit është pikasur në një distancë rreth 5 milje larg Sazanit se gjendeshin disa persona në ujë falë pajisjeve të sofistikuara dhe sistemit të vëzhgimit.Menjëherë trageti ka ndryshuar drejtim dhe në koordinim me kapitenerinë e përgjithshme i është afruar vendit ku gjendeshin personat në ujë. Pas zbritjes së varkës së shpëtimit dhe hipjes në të të personave që kërkonin ndihmë, menjëherë i është dhënë ndihma me ushqim veshje dhe ujë. Më pas janë marrë nga ambulanca për ndihmën mjeksore.

Sipas oficerit, një prej tyre, më i riu ka qënë në gjendje më të vështirë shëndetësore madje në një moment për shkak të panikut kishte tentuar të ikte me not por nuk ishte lejuar nga kapiteni i anijes së mbytur peshkarexhë.

Njoftimi i policisë:

Më datë 04.11.2018, në orën 02:08, jemi njoftuar për ndihmë se mjeti lundrues peshkimi “Vasili LN” po rrezikon të mbytet në det pranë ishullit të Sazanit.
Menjëherë u njoftuan shërbimet përkatëse të cilët dolën me mjete lundruese të Rojes Bregdetare dhe të Delta Force, nën orientimin e QNOD Durrës me qëllim për t’ju ardhur në ndihmë këtyre shtetasve por pas kontrolleve dhe kërkimeve të tyre në zonën detare përreth nuk u bë e mundur gjetja e tyre.

Por sot në mëngjes rreth orës 06:04, njofton Kapiteneria e Portit Vlorë se trageti i linjës Brindizi-Vlorë, në distancë rreth 6 milje nga Sazani ka gjetur në det 4 shtetas dhe i kanë marrë në tragetin e tyre (K.K, 65 vjeç, M.N, 54 vjeç, E.N, 20 vjeç, M.J, 19 vjeç).

Këta shtetas janë personat e ekuipazhit të anijes së peshkimit “Vasili LN”, për të cilët bëjmë me dije se janë në gjendje të mirë shëndetësore.