Zbardhen të fshehtat e viteve 1996-2000: Ja si Berisha riktheu Sigurimin e Shtetit përmes SHIK-ut, vendi në kaos gjatë qeverisjes së Metës

486

Amerikanët kanë zbardhur detajet nga ato se çfarë kanë ndodhur në Shqipëri gjatë viteve 1996-2000. Gazeta ka siguruar nja raport të Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili flet për ngjarjet e periudhës më të errët të Shqipërisë. Aty jepen detaje nga vitit 1996, ku tregohen përplasjet për zgjedhjet dhe kapjen e sistemit të drejtësisë. Aty thuhet se si SHIK ishte organi që kishte në dorë rendin. Po ashtu tregohet se te qytetarët ishte krijua perceptimi se gjatë kohës që Berisha ishte President, SHIK ishte i ngjashëm me Sigurimin e Shtetit. Po ashtu tregohet se si Ilir Meta mori pushtetin më 1999. Sipas dokumentit, në këtë periudhë vendi lulëzonte nga korrupsioni.

Viti 1996

Shqipëria është një republikë me një parlament të zgjedhur në një proces me shumë mangësi. Në pritje të Kushtetutës së re, në vend të saj po shërben Ligji i Parashikimeve Kryesore Kushtetuese ku përfshihet dhe ligji i të drejtave dhe lirive themelore. Partia Demokratike fitoi 122 nga 140 vendet në Parlament me një mazhorancë prej 87.1 për qind në zgjedhjet pluraliste të majit. Partia kryesore opozitare Socialiste bashkë me disa parti të tjera të qendrës, kryen një bojkot të procesit elektoral disa orë para mbylljes së kutive të votimit, duke cituar si arsye manipulimet e sponsorizuara nga qeveria, ku përfshiheshin rrahjet dhe intimidimet. Ata refuzuan të njohin legjitimitetin e parlamentit të sapo zgjedhur. Presidenti Sali Berisha i zgjedhur nga parlamenti në 1992 ka vazhduar mandatin e tij 5-vjeçar. Ligji parashikon ndarje të pushteteve dhe gjyqësor të pavarur, por gjithsesi sistemi gjyqësor mbetet subjekt i presioneve të forta politike dhe i korrupsionit të thellë. Degët lokale të policisë që i raportojnë ministrisë së Brendshme janë përgjegjëse për sigurinë e brendshme. Përveç detyrave të tyre të zakonshme ata duhet të sigurojnë qetësinë gjatë zgjedhjeve parlamentare dhe lokale respektivisht në maj dhe tetor. Në shtator Parlamenti kaloi legjislacionin e ri për sjelljen e policisë gjatë zgjedhjeve të shtatorit. Shërbimi shqiptar i inteligjencës SHIK është ligjërisht përgjegjës për mbledhjen e inteligjencës së jashtme e të brendshme si dhe funksionet e kundër-inteligjencës. Përgjegjësitë e brendshme të SHIK përfshijnë mbledhjen e inteligjencës për korrupsionin në qeveri dhe aktivitetet antikushtetuese, në mbështetje të agjencive të tjera të zbatimit të ligjit. Duke marrë parasysh aktivitete e organeve të mëparshme komuniste të sigurisë (Sigurimi) disa qytetarë vazhdojë ta perceptojnë SHIK si një organizatë të ngjashme dhe në të njëjtën mënyrë i tremben.

Ekonomia

Shqipëria është një vend i vogël që po kalon tranzicionin e dhimbshëm të reformave pas një ekonomie 50 vjeçare të centralizuar staliniste. Ekonomia e saj bazohet te bujqësia por sektorët komerciale e tregtare po rriten me shpejtësi në qytetet e mëdha. Ndërtimi është gjithashtu një nga sektorët në rritje. Ka disa qendra prodhimi minierash dhe masonerie (veshje, këpucë, pije e mallra konsumi). Shumica e sektorëve të industrisë së rëndë janë në pikën e vdekjes. Qeveria ka vazhduar privatizimin e ndërmarrjeve të industrisë së lehtë e të rëndë, në një proces të nisur që prej 1994. Privatizimet kanë përfshirë shumë sektorë të ekonomisë dhe kanë vazhduar me minierat, shpërndarjen e energjisë, telekomunikimet dhe sektorin tekstil. Remitancat nga shqiptarët që punojnë jashtë vendit dhe asistenca e huaj në përgjithësi mbeten një burim i konsiderueshëm të ardhurash. Me heqjen e sanksioneve ndaj Serbisë e Malit të Zi në 1995 Shqipëria humbi një burim të madh të ardhurash nga kontrabanda e organizuar e karburanteve drejt këtyre vendeve. Çmimet e mallrave bazë si buka, energjia elektrike e vajguri janë liruar nga kontrolli shtetëror në mes të këtij viti, duke krijuar vështirësi shtesë për punonjësit e sektorit publik dhe pensionistët me të ardhura fikse, por në përgjithësi kanë bërë që ekonomia të lëvizë drejt rritjes së efikasitetit. Rritjet e rrogave, pensioneve dhe subvencionet e sektorit publik kanë ndihmuar në zbutjen e pasojave të rritjes së çmimeve. Në përgjithësi rritja ekonomike ka mbetur e fortë në rreth 6 për qind për të dytin vit radhazi. Në fund të 1995 inflacioni ishte thuajse zero, porritet të arrijë në rreth 20 për qind në 1996 si rezultat i rritjes së deficitit të buxhetit. Të ardhurat për kokë arrinin në rreth 650 dollarë, që është thuajse dyfishi i vitit 1992, dhe transformimi ekonomik ka zmadhuar klasën e mesme.

Ardhja e Metës në pushtet

Partia Socialiste dhe aleatët e saj fituan 121 vende në Parlament në zgjedhjet e 1997, të mbajtura 5 muaj pas periudhës së kaosit dhe anarkisë. Vëzhguesit i vlerësuan zgjedhjet të pranueshme dhe të kënaqshme për rrethanat e tyre. Grupi më i madh opozitar Partia Demokratike i dha fund në korrik bojkotit të saj 10 mujor të parlamentit (bojkoti i dytë i tillë në 2 vjet pas akuzave për praktika abuzime nga Socialistët dhe aleatët e tyre). Socialisti Pandeli Majko shërbeu si kryeministër deri në tetor. Pas humbjes së zgjedhjeve për kreun e partisë socialiste Majko u tërhoq dhe partia zgjodhi zv. kryeministrin Ilir Meta për ta zëvendësuar. Meta erdhi në zyrë në tetor. Kushtetuta e vendit parashikon një gjyqësor të pavarur por mungesa e stabilitetit politik dhe e burimeve, korrupsioni dhe presioni politik i dobësojnë aftësitë e gjyqësorit për të funksionuar në mënyrë të pavarur dhe efikase. Njësitë lokale të policisë i raportojnë ministrisë së Brendshme dhe janë kryesisht përgjegjëse për sigurinë e brendshme. Komuniteti ndërkombëtar ka krijuar kurse trajnimi dhe programe për përmirësimin e forcave të policisë, ku janë përfshirë një numër i madh oficerësh. Vetë ministria e Brendshme ka një forcë të specializuar e të stërvitur mirë për detyra të veçanta. Gjatë këtij viti qeveria ka rivendosur rendin në disa zona të rrezikshme që kishin dalë nga kontrolli i qeverisë qendrore që prej vitit 1997. Policia ka kryer operacione madhore për rikthimin e kontrollit në Tropojë, Vlorë, Shkodër, Burrel, Fier e Gjirokastër, ku ka pasur banda të organizuara kriminale aktive. Ministria pretendon se ka shkatërruar të paktën 32 banda kriminale, por gjithsesi mbeten probleme serioze në ruajtjen e kontrollit të policisë. Kjo sepse policia është shpeshherë e prekur nga korrupsioni i gjerë që mbizotëron në vend shërbimi kombëtar i inteligjencës (SHIK) është përgjegjës për sigurinë e brendshme, të jashtme dhe mbledhjen e inteligjencës. Forcat e ushtrisë nuk kanë pasur rol në situatën e brendshme deri në vitin 1998, kur u autorizua një njësi komandosh prej 120 vetë, e cila vepron në detyra anti-terrorizmi nën urdhrat e ministrisë së Rendit Publik. Gjatë krizave të brendshme ministria e rendit kërkon dhe merr kontrollin e kësaj njësie komande. Policia kryen rregullisht abuzime me të drejtat e njeriut.

Pretendimet e PD

Opozita e Partisë Demokratike vazhdon të pretendojë se qeveria është përgjegjëse për vrasjet e disa anëtarëve të saj në 1999. Policia ka rrahur dhe abuzuar me të dyshuarit ose të burgosurit, si dhe ka pasur disa vdekje në arrest. Partia Demokratike shpesh është ankuar për incidentet e presioneve të policisë ndaj anëtarëve të saj dhe shkarkimet e simpatizantëve të saj nga pozicione të ndryshme për arsye politike. Policia shpeshherë ka arrestuar arbitrarisht dhe ka ndaluar persona të ndryshëm, ndërsa dhe paraburgimi i zgjatur është një problem. Gjyqësori nuk ka efikasitet dhe është i përfshirë nga korrupsioni dhe presioni i ekzekutimit. Ka pasur ankesa për gjyqtarë të pakualifikuar dhe joprofesionalë, apo dhe raste të gjykatësve që janë trembur nga presioni ose kanë marrë ryshfet nga kriminelë të fuqishëm. Qeveria shpeshherë ndërhyn në të drejtat e qytetarëve. Qeveria e respekton të drejtën e fjalës së lirë dhe shtypi është përmirësuar, por në disa raste policia ka rrahur gazetarët dhe liria akademike është kufizuar. Këto përmirësime janë penguar nga qasja pasive e qeverisë ndaj zbatimit të ligjit, me raste të shumta krimi, korrupsioni dhe vetëgjyqësie. Vendi ka pritur rreth 450 000 refugjatë nga Kosovë gjatë konfliktit të dhunshëm atje dhe ndërhyrjes së forcave të NATO-s. Dhuna dhe diskriminimi ndaj grave, trafiku i grave dhe fëmijëve janë probleme serioze në Shqipëri. Diskriminimi dhe dhuna ndaj minoriteteve fetare e etnike, kryesisht popullatës rome, mbetet problem. Qeveria ka marrë disa hapa për përmirësimin e trajtimit të disa minoriteteve etnike. Puna e të miturve është një tjetër problem dhe aktet e vetëgjyqësisë kanë shkaktuar shumë vrasje.