Detaje të reja zbardhin ngjarjen e mbrëmjes së të enjtes në qytetin e Shkodrës

762

Detaje të reja zbardhin ngjarjen e mbrëmjes së të enjtes në qytetin e Shkodrës, ku një sasi tritoli iu vu mjetit të inspektorit të tatimeve në Shkodër, por për fat nuk plasi.

Pas ekspertizës rezultoi se ishte një sasi tritoli prej rreth 20-30 gram. Kjo sasi tritoli rezultoi se ishte me magnet. Sipas burimeve ka qenë e ngjitur tek targa e makinës në pjesën mbrapa teksa mjeti i inspektorit ndodhej i parkuar para një lokali në afërsi të banesës së tij. Mësohet se Patrulla e policisë i ka vendosur një gjobë mjetit në fjalë pasi kishte parkuar në kundravajtje, ndërsa një i njohur i inspektorit ka dalë për të parë gjobën kur ka konstatuar në mjet lëndën plasëse.

Menjëherë ka njoftuar të zotin e mjetit njëherësh inspektor i tatimeve Nehat Zaganjori duke qenë se e njihte. Ky i fundit bashkë me shokët e tij e kanë goditur me këmbë lëndën plasëse duke e hedhur në tokë ndërsa nuk ka shpërthyer në asnjë moment. Më pas është njoftuar policia dhe është pritur ardhja e grupit antieksploziv nga Tirana. Fillimisht nga forma e saj dhe duke qenë se ishte e mbështjellë me një letër dukej si një granatë por pas verifikimeve rezultoi se ishte një sasi tritoli prej rreth 20-30 gram.

Makina nuk kishte më shumë se 45 minuta e parkuar në vendin e quajtur Ura Dervishbeg ndërsa tritoli është vënë re në një orë kur ka lëvizje të atë zonë, rreth orës 19:30. Mësohet se Nehat Zaganjori ka deklaruar se nuk ka konflikte me kend dhe se e vetmja arsye e vendosjes së tritolit në mjetin e tij mund të jetë për shkak të detyrës si inspektor tatimesh në Shkodër. Burime prane grupit hetimore bejne me dije se Zaganjori ka deklaruar se po gjate dites se enjte ai ka marre nje mesazh kercenues nga nje numer i panjohur në telefonin e tij.