Kush është Sandër Lleshi ministri i Brendshëm i Ri

519

Këshilltari i Sigurisë i kryeministrit Edi Rama, Sandër Lleshi do të marrë postin e ministrit të Brendshëm.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar vetë kryeministri Edi Rama, i cili në postimin në “Twitter” krahas njoftimit se Xhafaj ka dhënë dorëheqjen ka njoftuar edhe pasardhësin e ri.

Gjeneral Lleshi në periudhën 1996- 2000, ka qenë komandant i Kurseve në Akademinë e Mbrojtjes në Tiranë dhe më pas, për tre vjet të tjera, ishte komandant i Akademisë Ushtarake “Skënderbej”. Në vitet 2003-2006 ka shërbyer si atashe i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë në Gjermani.

Sa i takon arsimit të tij në fushën ushtarake, ai fillon në periudhën 1978-1985 kur ka kryer shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej” dhe Akademinë Ushtarake.

Nga viti 1994 deri në 1999 ka kryer një sërë kursesh, si ai i gjuhës gjermane në Akademinë e Mbrojtjes Kombëtare në Vjenë (Austri);

Në 2008-n, gjeneral Lleshi ka përfunduar Seminarin e Lartë Ekzekutiv në Qendrën për Studime të Sigurisë Europiane, George C. Marshall në Garmisch-Partenkirchen, Gjermani; Ndërsa në 2011-ën përfundoi Kursin e Lartë Ndërkombëtar për Menaxhimin e Mbrojtjes në Shkollën Pasuniversitare të Marinës në Monterey, Kalifornia, SHBA.