Si demaskoheshin publikisht në diktaturë bixhozxhinjtë.

549

Nga Kastriot Dervishi

Nisur nga votimi i sotëm i Kuvendit për mbylljen e lojërave të fatit, po referoj bazën ligjore dhe disa fakte historike, se si edhe në diktaturën më të egër të Europës, nuk mundi të zhdukej vesi i bixhozit.

Shumë vite pas luftës, lotaria ishte monopol shtetëror, ndërsa bixhozi përbënte vepër penale. Pas mbylljes së lotarisë në vitet ’60, legjislacioni i kohës i parashikonte të dyja si vepra penale. Megjithatë, pavarësisht diktaturës së egër, si bixhozi, ashtu edhe lotaria nuk mundën të zhdukeshin. Mbyllja e menjëhershme tregoi se nuk ishte rruga e duhur për kufizimin e kësaj dukurie. Regjistri i gjendjes gjyqësore, dëshmon dënime të shumta me akuzën e bixhozit. Le të shohim, legjislacionin penal, si dhe statistika nga dy vitet e fundit të regjimit komunist.

Referuar ligjit nr.1470, datë 23.5.1952, i ndryshuar, Kodi Penal i RPSH-së, në nenin 285, “Mbajtja e lokaleve për bixhoz dënohej deri në 2 vjet heqje lirie ose internim, ndërsa luajtja me gjobë deri në 10 mijë lekë, punë korrektuese ose me heqje të lirisë deri në1 vit.

Referuar ligjit nr.5591, datë 15.6.1977 Kodi Penal i RPSSH-së, në nenin 236 “Luajtja e bixhozit”, kjo vepër dënohej “me gjobë gjer në 1 mijë lekë, me riedukim nëpërmjet punës ose me heqje të lirisë gjer në 2 vjet”.

Statistikat e gjendjes gjyqësore të çdo viti, tregojnë se në gjyq janë dënuar një numër i madh shtetasish, ndërsa të tjerë janë demaskuar në lagje apo qendrat e punës. Referuar të dhënave nga Hetuesia e Përgjithshme, për dy vitet e fundit të diktaturës, kemi këto të dhëna:

Viti 1989

-Çështje penale 7009

-4969 të pandehur, prej të cilëve 1430 në gjendje arresti.

-110 të pandehur për krime kundër shtetit (79 për tentativë arratisje, 31 për agjitacion e propagandë, 1 për spiunazh)

-2656 të pandehur për vjedhje të pronës socialiste, prej të cilëve në gjendje arresti ishin 806 (ndër të tjera 131 vjedhje kasafortash, prej të cilave u zbuluan 72).

-1290 të pandehur për vepra kundër personit (ndër të tjera ishin 77 vrasje me dashje me 5 me grabitje)

-475 të pandehur ushtarakë

-229 të pandehur për veprën e bixhozit

Në informacionin e këtij viti, ndër të tjera thuhej:

“Përhapje ka bixhozi në formën e lotosportit…Janë marrë të pandehur organizatorët kryesorë dhe personat e tjerë janë diferencuar duke u bërë problem në qendrat e punës në bashkëpunim me organizatat e masave”.

Viti 1990

-Çështje penale 8426

-5167 të pandehur, prej të cilëve 1771 në gjendje arresti.

-112 të pandehur për krime kundër shtetit (27 për tentativë arratisje, 59 për diversion, 25 për agjitacion e propagandë, 1 për spiunazh). Nuk përllogariteshin si krime kundër shtetit 44 të dënuar për kalim të paligjshëm të kufirit.

-2848 të pandehurpër vjedhje të pronës socialiste, prej të cilëve në gjendje arresti ishin 700.

-Për vrasje ishin 178 çështje, prej të cilave 62 me dashje.

-Për krimin e bixhozit, ishin dërguar në gjyq dhe dënuar 61 persona.