Shumë valixhe, qese kripe e kuti djathi! Çfarë u gjet në laboratorin e drogës në Has

1020

Valixhe, kutia të mëdha e deri tek qeset të kripës e kutiat e djathit, këto janë disa nga objektet e gjetura që kanë shërbyer në laboratorin e heroinës në Has për të “mbledhur” drogën si dhe për ta paketuar atë.

Në fotot e publikuara nga panorama shihet se sasia e heroinës është e frikshme. Ende nuk ka një njoftim zyrtar të policisë mbi kilogramët e sekuestruar, por nga pamjet e pakta të dala tashmë, është e qartë që kemi të bëjmë me një laborator të madh droge, ashtu siç ishte dhe ai i Xibrakës në Elbasan disa vite më parë.

Në laboratorin e drogës në fshatin Branog është gjetur gjithashtu dhe një sasi e madhe e opiumit, lëndë së parë për prodhimin e heroinës. Policia vijon aksionin. Hetimet kanë nisur muaj më parë në bashkëpunim me autoritete të huaja, pasi heroina që bëhej në Shqipëri shitej në vendet e BE-së.

Burime policore thanë se 5 persona janë arrestuar deri më tani, ndërsa 10 të tjerë janë shoqëruar.

Të arrestuarit : V.B., F.C., XH.SH., M.SH., A.SH..

“Drejtoria Vendore e Policise Kukes ne bashkepunim me agjencite e tjera ligjzbatuese dhe nen drejtimin e Prokurorise se Rrethit Gjyqesor Kukes kane zhvilluar nje operacion antidroge ku eshte zbuluar nje objekt qe dyshohet se perdorej per perpunim te drogave te forta. Per detaje te operacionit Policia e Shtetit, Prokuroria dhe agjencite ligj zbatuese ne ditet ne vijim do te kene nje konference te perbashket per mediat per operacionin qe zhvillohet ne qarkun e Kukesit”, thuhet në një njoftim të shkurtër të Policisë.