Rama nxjerr shifrat, ja sa do rriten pagat për infermierët, mësuesit dhe ushtarakët, përfitimet për secilën kategori pas 1 prillit

612

Qeveria do të rrisë pagat për infermierët, mësuesit dhe ushtarakët gjatë vitit 2019. Dje kryeministri Edi Rama mblodhi Këshillin Ekonomik Kombëtar dhe aty prezantoi buxhetin e vitit që vjen. Shefi i qeverisë tregoi me shifra se sa do të jetë rritja e pagave për secilën kategori. Por Rama e bëri të ditur se rritja do të fillojë pas datës 1 prill. “Në sektorin e shëndetësisë do të kemi rritjen më të lartë. Besojmë shumë që është e domosdoshme dhe faktikisht do të jetë një rritje prej 10%. Në sektorin e arsimit do të kemi një tjetër rritje të konsiderueshme prej 7%. Janë 4650 mjekë dhe 13765 infermierë në të gjithë vendin, përfshihen edhe laborantët dhe farmacistët e spitaleve, si dhe 350 mijë arsimtarë që do përfitojnë nga këto rritje. Po ashtu do kemi një rritje në sektorin e mbrojtjes për 6800 ushtarakë në një masë që do të variojë sipas kategorive, 5%-7%”, tha Rama. Sipas statistikave të siguruara nga gazeta, paga e një mjeku familje do shkojë në rreth 80.949 lekë të reja. Ndërsa paga e një mjeku në spital do të shkojë në rreth 91 mijë lekë të reja. Infermierët me arsim të lartë në qendrat shëndetësore do marrin rreth 47 mijë lekë, ndërsa ata me arsim të mesëm rreth 44 mijë lekë. Ndërsa infermierëve me arsim të lartë në spitale paga do ju shkojë në rreth 58 mijë lekë, ndërsa atyre me arsim të mesëm do ju shkojë rreth 54 mijë lekë. Sa i takon arsimit, pagat e drejtorëve do variojnë nga 77 mijë në 87 mijë lekë të reja. Ndërsa mësuesit e shkollës së mesme do marrin rreth 77 mijë lekë. Atyre të ciklit të ulët pagat do u variojnë nga 71 mijë lekë në 78 mijë lekë. Ndërsa sa i takon ushtarakëve, paga më e ulët do të jetë 35.280 lekë për ushtarakët me gradën “Ushtar/Detar 1”, ndërsa paga e Gjeneralëve do shkojë në rreth 180 mijë lekë.

Investimet

Kryeministri Edi Rama në fjalën që mbajti dje para të pranishmëve dha dhe detaje se ku do jetë vëmendja e qeverisë sa i takon investimeve. Ai tha se do ketë më shumë shpenzime për infrastrukturën dhe përmirësimin e rrjetit elektrik. “Ajo që besoj është më e rëndësishmja, në kuptimin e volumit në buxhet, janë investimet në infrastrukturë, që janë gjysmë miliardi dhe që do të mbështesin, qoftë infrastrukturën e rrugëve kombëtare, qoftë infrastrukturën e ujësjellësve, si dhe trajtimin e mbetjeve, rehabilitimin e mëtejshëm të rrjetit energjetik. Nuk po hyj në detaje për akset rrugore, por po kaloj në hapin tjetër, të rindërtimit të të gjithë rrjetit të qendrave tona shëndetësore. Janë 100 qendra të tjera, pas 80 të parave, që janë në punë e sipër dhe që do të përfundojnë deri në fund të vitit. Janë 100 qendra të tjera shëndetësore që do të rindërtohen gjatë vitit të ardhshëm, ose do ndërtohen nga e para, si dhe disa projekte të tjera për spitalet”, tha ai. Më tej shefi i qeverisë u shpreh se një numër barnash të reja, të domosdoshme, do të përfshihen në sistemin e ilaçeve të rimbursueshme. Po ashtu do të mbështetet rritja e numrit të vizitave në Kujdesin Parësor, rritja e numrit të pacientëve që përfitojnë trajtim spitalor, reduktimi i vdekshmërisë foshnjore dhe reduktimi i kohës së pritjes, sidomos për ekzaminime të rëndësishme, si rezonanca, skaneri, etj. Sipas tij, do të mbështetet më tej politika e teksteve falas për nxënësit e ciklit të ulët. “Një fokus të veçantë kemi vendosur te transporti i nxënësve që e kanë vendbanimin mbi 2 kilometra larg shkollës, si dhe i mësuesve që banojnë më larg se 5 kilometra nga vendndodhja e shkollës ku japin mësim. Ka një rritje të financimit për laboratorët dhe po ashtu ecim me synimin që të kemi 100 klasa mësimore inteligjente, ose digjitale çdo vit”, tha Rama.

Kliti Topalli