CIA zbardh terrorin komunist ndaj shkrimtarëve, ja si Nexhmije Hoxha kërkonte më 1953 që letërsia të fokusohej te figura e diktatorit Hoxha dhe marrëdhëniet me BRSS

782

Regjimi komunist ishte i fokusuar vetëm te një person dhe ai ishte Enver Hoxha. CIA ka zbardhur një dokument, ku jepen detaje mbi një mbledhje të Lidhjes së Shkrimtarëve. Aty ishte dhe Nexhmije Hoxha, ku tregohet e si kërkohej që të gjitha botimet të fokusoheshin te figura e diktatorit Hoxha dhe te marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik. Në një dokument tjetër jepen detaje nga eliminimi i armiqve të regjimit.

Gusht 1953

Revista “Letërsia Jonë”

Konferenca e katërt e Lidhjes së Autorëve Shqiptarë

Konferenca e katërt e Lidhjes së Autorëve u mbajt në 14-15 shtator në ambientet e Bibliotekës Kombëtare në Tiranë. Mes të pranishmëve ishte kandidati i Byrosë Politike Manush Myftiu, Nexhmije Hoxha anëtare e Komitetit Qendror, Fadil Pacrami dhe autori i njohur Georgi Gulia, një nga anëtarët sovjetikë të muajit të miqësisë shqiptaro-sovjetike. Pas fjalimit të hapjes nga Dhimitër Shuteriqi u mbajt zgjedhja e zyrtarëve të rinj të Lidhjes. Bordi i ri i drejtorëve përbëhej nga Kolë Jakova, Dhimitër Shuteriqi, Llazar Siliqi, Zihni Sako, Nonda BUlka, Kin Dushi, Shefqet Musaraj, Aleks Caci, Luan Qafzezi. Mes shkrimtarëve më të dalluar u përmendën Kin Dushi, Zihni Sako, Fatmir Gjata e Dhimitër Shuteriqi. Mes poetëve ishin Llazar Siliqi, Dhimitër Shuteriqi, Aleks Caci, Luan Qafzzi e Andrea Varfi. Në dramë Kolë Jakova u vlerësua për pjesën e suksesshme “Halili e Hajria”. Musaraj analizoi gjithashtu defektet e shkrimtarëve shqiptarë dhe këshilloi autorët ta modelonin veten sipas modeleve sovjetike të luftës për socializëm e paqe. Kolë Jakova foli për sukseset dhe gabimet e shkrimtarëve të rinj, ndërsa u ndoq nga diskutime të tjera të vlefshme të autorëve. Në fjalimin e autorit sovjetik Georgi Gulia, u përmend linja socialiste e letërsisë sovjetike dhe asaj shqiptare. Nexhmije Hoxha tha mes të tjerash se është e nevojshme një letërsi militante dhe partiake, e modeluar sipas eksperiencës sovjetike dhe sipas udhëheqjes së Enver Hoxhës.

Zhvillimet e takimit

Lidhja e shkrimtarëve kaloi një rezolutë ku vlerësoheshin arritjet dhe përmirësimet që prej konferencës së tretë. Konferenca vlerësoi arritjet e autorëve shqiptarë, zhvillimin e kritikës dhe auto-kritikës dhe rritjen e besnikërisë së tyre ndaj partisë së Punës dhe miqësisë me BRSS dhe Stalinin. Konferenca lavdëroi ndihmën e shkrimtarëve në mobilizimin e masave për paqen dhe socializmin, si dhe kundër imperializmit anglo-amerikan. Konferenca theksoi disa dobësi në organizmin e institucionit dhe kritikoi takimet e rralla të tij. Sekretariati u kritikua për uzurpimin e rolit të drejtorëve dhe për moszbatim të udhëzimeve të konferencës së tretë. Lidhja vlerësoi se kishte ende punë për të bërë në mobilizimin komunist të grave, të rinjve klasës punëtore dhe ushtarëve. Duke parë përpjekjet e popullit shqiptar kompletimin e projekteve të mëdha të planti pesë-vjeçar, konferenca përcaktoi detyrat e mëposhtme: Forcimi i organizimit me anë të metodave sovjetike dhe punë kolektive në të gjitha sektorët, planifikim më të mirë, mbikëqyrje, rritje të kritikës, autokritikës dhe dhënies së llogarisë. Lidhja kërkonte vëmendje të veçantë për edukimin profesional ideologjik të autorëve me anë të leksioneve dhe seminareve, me anë të përkthimit të materialeve estetike. Punë duhet të kryhej në pasurimin dhe pastrimin e gjuhës shqip. Sektorët e saj duhet të organizojnë diskutime mbi temat letrare, ndërsa njohuria e shkrimtarëve dhe veprave sovjetike konsiderohet e domosdoshme për të gjithë shkrimtarët.

Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet kritikës letrare, sipas modelit të eksperiencës sovjetike me kritika nga lexuesit. Studime kritike duhet të bëhen për traditën letrare shqiptare. Lidhja duhet të marrë masa konkrete për t’i dhënë shkrimtarëve një qasje realiste për jetën në qendra prodhimi, miniera, stacione elektrike e kantiere ndërtimi. Puna letrare për paqen duhet të përfshijë luftën e klasave, besnikëri ndaj klasës punëtore dh fshatarësisë, metodave moderne dhe mbrojtjes së Shqipërisë. Veprat letrare duhet të ilustrojnë cilësitë e partisë së Punës dhe të shokut Enver si dhe të stimulojnë miqësinë me Stalinin dhe BRSS. Autorët duhet të krijojnë heronjtë e tyre sipas modeleve pozitive të letërsisë sovjetike . Autorët shqiptarë duhet të tentojnë të krijojnë tipe letërsie madhore, përparësi duhet t’i jepet librave të fëmijëve, dramës, poezisë, satirës, këngëve, skenarëve të filmave dhe libreteve. Lidhja duhet të bashkëpunojë me sindikatat e të rinjve për rritjen e standardeve të arsimit dhe rritjen e kontaktit me masat. Lidhja duhet të kryesojë në hartimin e teksteve, zhvillimin individual të autorëve, veçanërisht atyre të rinj. Lidhja duhet gjithashtu të zgjerojë marrëdhëniet me botën e jashtme veçanërisht me BRSS. Sektori i jashtëm i saj duhet të prodhojë punime kritike dhe përkthime nga veprat sovjetike apo nga vendet e tjera të demokracive popullore. Përkthime duhet të ketë dhe nga vepra progresive të vendeve kapitaliste dhe gjithashtu të përkthehen vepra shqiptare në gjuhë të huaja.

5 shtator 1952

Korrespondencë nga shqiptarët në Jugosllavi

Bashkangjitur kemi dy letra të dërguara më 21 dhe 22 gusht 1952, nga informatori në Sabac, Jugosllavi. Shkruesi informon burimin se ai dhe …kanë nisur punë respektivisht si mekanik dhe elektriçist në fabrikën e kimikateve Zorka në Sabac, për të plotësuar të ardhurat mbi 3000 dinarët e përmuajshëm që marrin nga qeveria jugosllave, të cilët nuk mjaftojnë për të gjithë nevojat. Gjithashtu siç iu shpjegua atyre nga kolonel Cedi Mijoviç, të gjithë duhet të punojnë për ta kthyer në një sukses programin socialist. Në letrën e 21 gushtit, ai shpjegon mbi misionin e grupit me gjashtë njerëz të Jugosllavisë në Shqipëri. Ded Pjetra, i cili ka vrarë një rreshter dhe një major komunist te Ura e Mesit, bashkë me një mirditor, raportohen të jenë ende gjallë dhe ende nuk janë kthyer në Jugosllavi. Hilë Sllaku, Shpend Bushati (ish-agjent shqiptar i sigurimit që dezertoi në Jugosllavi në shkurt 1951) dhe një i tretë i paidentifikuar janë vrarë në Shqipëri. Disa ditë para letrës së tij, një tjetër mision që përfshinte edhe Pjetër Smaili, ka hyrë në Shqipëri.

Detajet

Në letrën e tij të dytë, kryesisht me anë të konfirmimit të informacioneve të mëparshme, por për fat të keq pa specifikuar datat apo rrethanat e veçanta, shkruesi jep informacionin e mëposhtëm në lidhje me individët e përmendur: Kanë arritur në Shkup vëllezërit Ndue, Pal e Martin Lala, një bir i Gjergj Nikol Ndreut dhe tre persona të paidentifikuar nga Kruja; Janë vrarë Gjergj Kol Ndreu dhe i biri Zef; Jak Lala; dy bijtë e Gjon N. Ndreut Kole e Mark; i biri i Llesh Gjok Lalës, Pjetër; dhe Geg Zef Hyseni. Janë plagosur ose kapur nga armiku Gjon Lale Piroli; Pjetër Mark Ndoja; Gjon Ndue Perjaku, dhe një tjetër individ që më vonë vdiq. I gjithë grupi i mësipërm u tradhtua në Mamurras nga Gjin Gara nga Perlati.

Vdekja e 15 personave

Letra më tej vazhdon të raportojë se më 11 gusht Pjetër Kimza, Dom Zef Oroshi, Frrok N. Jaku, Kol Perdoda, Ndue Jak Zefi dhe pesë individë të tjerë të paidentifikuar arritën në Jugosllavi. Anëtarët e një grupi tjetër me dhjetë persona që ishin drejtuar për në Jugosllavi nga Pjetër Cup Qafa, raportonin për vdekjen në Shqipëri të 15 individëve duke përfshirë: Llesh Kajzu, Frrok Z. Peshku, Prend Ndue Marku, Ndue Llesh Frroku, Zef e Dodë Coku, Marka Pjetër Gjini, Llesh Froku, Zef Marka Tuci. Thuajse të gjithë liderët e rezistencës në Shqipëri janë arrestuar ndërsa Llesh Frrok Geci, Preng Gjok Deda e të bijtë, dhe Osman Vera janë dorëzuar te forcat qeveritare. Shkruesi raporton se sipas opinionit të tij, jugosllavët e kanë shkatërruar qëllimisht organizatën e mbështetur në Shqipëri.

7 shkurt 1952

Aktivitetet e degës tonë për infiltrimin e agjentëve dhe furnizimet, këtë muaj janë penguar nga dimri ballkanas, i cili i ka bërë të papraktikueshme operacionet në Shqipëri. Janë bërë disa tentativa për infiltrim të grupeve me katër agjentë në zonat juglindore të vendit, për të përcaktuar reagimin ndaj lëshimeve të furnizimeve dhe propagandës, të hedhura në dhjetor, por u vendos të shtyhej operacioni deri në thyerjen e motit të ftohtë. Depërtimet ajrore në vend kanë qenë të suksesshme, duke u hedhur nga ajri furnizime dhe 200 000 pamfleta propagande në Tiranë dhe në Veri të Shqipërisë, më 21 janar. Në frontin politik, Radio Shqipëria e Lirë vazhdon transmetimet e përditshme dhe gazeta Shqipëria vazhdon të botohet, por tashmë nga Roma dhe jo nga Nju Jorku. Ndryshimi i vendndodhjes besojmë se ka sjellë cilësi më të mirë dhe një pamje më të freskët nga pikëpamja gazetareske. Brenda në Komitetin Kombëtar, presioni ynë për zgjerimin e bazës politike ka vazhduar.

Informacionet e agjentëve

Kohët e fundit morëm një letër të shkruar me bojë nga grupi ynë i katër agjentëve që operon në Kukës, në Veri të Shqipërisë. Në letër këshillohet që katër anëtarët e grupit të kalojnë dimrin në Prizren të Jugosllavisë, dhe të kthehen në Shqipëri në pranverë. Ata kërkuan, dhe po u dërgohet ushqim dhe para për të kaluar dimrin në Jugosllavi. Një grup prej tre agjentësh të lëshuar në Shqipërinë qendrore në tetor, nuk kemi asnjë informacion. Në sektorin e luftës psikologjike, kemi vazhduar transmetimet sipas programit të radios klandestine, Zëri i Shqipërisë së Lirë, nga stacioni pranë Athinës. Në edicionin e tretë të publikimit të organit të NCFA, shkruhet për zotimin e Jugosllavisë e Greqisë për ruajtjen e integritetit territorial të Shqipërisë, dhe për pranimin në parim të Italisë. Ky lajm mori vëmendje të konsiderueshme në shtypin perëndimor. Letra e NCFA botohet në mënyrë të parregullt në gjuhët angleze, franceze dhe italiane.

Në 21 janar kemi lëshuar një ngarkesë me furnizime dhe propagandë në Veri të Shqipërisë, në qytetet e Shkodrës, Kukësit, Burrelit dhe Tiranës. Furnizimet përmbanin 900 kanaçe me ushqime të thjeshta dhe 250 qese me nga 300 gramë miell secila.

Lëshimi i broshurave

Një mision për lëshime fletushkash, këtë muaj, u kombinua me lëshimin e furnizimeve të propagandës, për arsye të kushteve të këqija të motit. 200 000 broshura të palosura dhe 5000 koje të Shqipëria u lëshuan, teksa me përmirësimin e motit do të nisin lëshimet edhe në zonën jugore të vendit. Në zhvillimet politike përmendim, Ishan Toptani i Komitetit të Shqipërisë së Lirë, i cili mori pjesë në takimin e lëvizjes evropiane të mbledhur me 20 janar në Londër. Lidhja shqiptare e azilantëve politike në Jugosllavi e formuar më 10 maj 1951, raportohet të ketë nisur shpërndarjen e publikimit të ri “Flamuri i Lirisë”, e cila, në dukje mbështet përpjekjen e shqiptarëve kundër tiranisë së qeverisë Hoxha. Kemi pasur disa raportime për diferenca mes veprimit të oficerëve tanë dhe atyre britanikë, duke sinjalizuar se britanikët mund të jenë duke ndjekur një politikë unilaterale veprimi në lidhje me Komitetin Kombëtar të Shqipërisë së Lirë.

Trajnimi

Caktimi i Ibrahim Kelmendit dhe Adem Selimit në SHBA u anulua në momentin e fundit, për arsye të paaftësisë së anëtarëve të komitetit të NCFA për të rënë dakord në zgjedhjen finale të dy individëve. Sa i përket rekrutimit, është angazhuar një guidë si agjent mbështetës për infiltrime tokësore në të ardhmen. Shërbimet britanike kanë ofruar të japin për operacionin tonë tre studentë të operacioneve radio, trajnimi i të cilëve thuhet se është kompletuar në tre të katërtat e masës. Ndërkohë janë duke u testuar aftësitë e tre agjentëve britanikë dhe nëse vendoset se janë të aftë, ata do të pranohen në kurset e agjentëve radio në Gjermani. Njëzet shqiptarë që kryen kursin e agjentëve dhe mbaheshin të gatshëm në Athinë, janë kthyer në Gjermani te Kompania e Gardës. Ky veprim u bë për të shtuar sigurinë e infiltrimeve të ardhshme.

4 prill 1952

Raporti i aktiviteteve të refugjatëve shqiptarë, Athinë

Më 27 shkurt 1952, burimet tona dorëzuan raportin e mëposhtëm sipas kërkesës tonë mbi situatën e aktivitetit të refugjatëve shqiptarë në Athinë. Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet identifikimit të … si agjent i shërbimeve greke dhe versionit për afrimin e tij në shërbimin tonë. Me interes të veçantë konsiderohen pikëpamjet e Hamit Matjanit, në lidhje me mundësitë aktuale dhe të ardhshme për operacione në Shqipëri. Ka rreth 300-320 refugjatë shqiptarë në kampin e Lavrion, rreth 40 km larg Athinës; 25-35 prej tyre jetojnë në afërsi të Athinës, ndërsa rreth 40-50 të tjerë mbahen në kampin disiplinor të përqendrimit, bashkë me refugjatë të kombësive të tjera në ishullin e Siros.

Figurat kryesore

Përfaqësuesi kryesor i Partisë Balli-Agrare është ish-komunisti Skënder Duma, nip i kolonelit të njohur komunist Petrit Duma, komandant i njësive të mbrojtjes popullore të Korçës. Partia e Legalitetit përfaqësohet nga Myftar Spahiu, mbështetës fanatik i mbretit Zog. Blloku Kombëtar Indipendent përfaqësohet nga Isa Toptani, i cili kalon shumicën e kohës në Athinë, i cili gjithashtu merr pjesë në aktivitetet e NCFA, por përgjithësisht konsiderohet si agjent i shërbimeve greke. Ai udhëton shpesh në Athinë, Romë, Paris, Londër e Munih, dhe natyra e vërtetë e aktiviteteve është e papërcaktuar.

Roli i liderëve politikë

Të gjithë personazhet e përmendur më sipër kanë ca më pak e ca më shumë kontakte me shërbimet greke të inteligjencës. Duke vepruar për llogari të partive të tyre respektive, me qëllim kryesor ruajtjen e moralit të mbështetësve të tyre, atyre u kërkohet të raportojnë te liderët politikë. Ky faktor politik bën që siguria e tyre të jetë e dobët dhe ato që duhet të jenë informacione të rezervuara, herët a vonë bëhen objekt bisede mes të gjithë rretheve të emigrantëve shqiptarë në Athinë. Kjo situatë është konfirmuar nga burimet tona dhe nga gjenerali grek Nikolopulos, i cili thotë se rrjeti i tij është i mirinformuar për aktivitetet e shqiptarëve në Greqi dhe vende të tjera, si rezultat i korrespondencës me shqiptarëve në vend. 28 vjeçari shqiptar … është një agjent grek dhe amerikan. Ai ka lindur në Gjirokastër dhe më parë ka qenë komunist aktiv dhe partizan në përpjekjen kundër pushtuesve fashistë dhe gjermanë. Më vonë, ai u punësua në ministrinë e punëve publike pas luftës. Me detyrën e tij ka bërë disa udhëtime në Beograd e Moskë. Është arratisur drejt Greqisë në vitin 1948 dhe më vonë është lëshuar disa herë me parashutë në Shqipëri me misione inteligjence. Detyra e tij aktuale është të raportojë mbi lëvizjet dhe bisedat e bashkë-atdhetarëve të tij në Athinë.

Roli i Hamit Matjanit

Burimi ynë në Athinë foli gjatë me Matjanin, të cilin e përshkruante si një fshatar i thjeshtë me gjykim të shëndoshë dhe temperament të qetë. Më tej burimi raportonte mbi opinionet e Matjanit mbi Shqipërinë, mbi masat anti-nacionaliste të marra nga qeveria dhe mendësinë e popullatave lokale anti-komuniste. Sipas tij, në vitet 1948-49 duke besuar shumë te përpjekjet e aleatëve për Shqipërinë, popullatat lokale i dhanë mbështetjen e tyre misioneve të huaja në vend. Me rritjen e numrit të këtyre misioneve në Shqipëri dhe veçanërisht pas kapjes së grupit të Ethem Çakut, mbështetja popullore pësoi rënie, veçanërisht në Jug të Shqipërisë. Gjyqi në Tiranë i Ethem Çakut, me anë të propagandës shtrembëruese të pushtetit, nxori në dritë disa aspekte të operacioneve të Perëndimit kundër Shqipërisë, që, gjithashtu ndikuan në uljen e mbështetjes. Disa misione në Shqipëri të maskuara nën sferën e një partie të emigracionit apo një tjetre, në vend që të ruanin propagandën e tyre ekskluzivisht kundër komunizmit, tentuan të influencojnë popullsinë edhe në favor të partive të tyre të veçanta, duke sjellë një efekt krejtësisht të padëshirueshëm, atë të mosbesimit ndaj grupeve politike të emigracionit për arsye të përçarjes mes tyre. Kjo politikë propagande i shërbeu në fakt pushtetit të Tiranës, që i ktheu në avantazh të tij divergjencat mes grupeve anti-komuniste.