Mrike Gjikola, simbol i përpjekjeve për të mos harruar vuajtjet e komunizmit ndahet nga jeta

751

Në vitin 1948, Mrikë Gjikola, 26 vjeç, u mor me dhunë nga shtëpia e saj në zonën malore të Mirditës në Shqipërinë e veriut për t’u interrnuar në Tepelenë, 200 kilometra në jug, bashkë me të gjithë familjen e saj, përfshirë vajzën e sapolindur Prena. Faji i saj: ajo ishte e martuar me Bibë Gjikolën, një pronar dyqani që u zhduk në rrethana të panjohura pasi regjimi komunist i sapokrijuar konfiskoi mallrat e tij dhe mbylli dyqanin.

Përballur me opozitë ndaj pushtetit të tyre, komunistët vendosën t’i mohojnë kundërshtarëve bazën e tyre të mbështetjes duke internuar me dhunë qindra prej familjeve të tyre dhe duke i dërguar ato në kampe internimi në qytete të ndryshme, nga të cilat, kampi i Tepelenës kujtohet si më i tmerrshmi.

Dëshmitë nga të mbijetuarit tregojnë një histori të tmerrshme me dietë pothuajse të pamjaftueshme për të mbijetuar, një epidemi të tmerrshme tifoje dhe neglizhencë të hapur nga zyrtarët e kampit, gjë që shkaktoi qindra të vdekur, më së shumti mes të moshuarve dhe fëmijëve. Mrika u internua bashkë me kunatën e saj Gjela, nënë e një vajze pak javëshe, si dhe vjehrrin. Vajza e Gjelës, Dina, vdiq në kamp.

Pasi kampi u mbyll në vitin 1952, Mrika u lejua të kthehet në shtëpinë e saj por e ashtuquajtura “luftë klasash”, një platformë propagandistike e përdorur nga regjimi për të përforcuar sundimin e vet, nënkuptonte që ajo do të vijonte të vuante nivele të ndryshme përndjekjeje deri të ditët e fundit të komunizmit më 1991.

Mrika dhe Gjela kërkuan për 15 vjet varret e pashënjuara të vajzave të tyre dhe ia dolën t’i gjenin ato në vitin 2002, falë ndihmës së kujtimeve të banorëve të fshatit të Turanit, pranë kampit të internimit.

Presidenti Ilir Meta i dha atyre titullin “Për Merita të Veçanta Civile” gjatë një ceremonie për përkujtimin e Kampit të Internimit të Tepelenës më 23 gusht.

Rreth 3 dekada pas rënies së kominizmit, Shqipëria vijon të vuajë në përballjen me të shkuarën e vet të dhunshme.

Ndërsa eshtrat e vajzave të Mrikës dhe Gjelës u gjetën, Preng Gjikola, një anëtar i familjes, shkroi në Facebook se familja e tij është ende në pritje për të gjetur varret e katër anëtarëve të tjerë që u zhdukën gjatë komunizmit.

Disa përpjekje janë bërë për të shtyrë përpara procesin e gjetjes së varreve të disa mijëra shqiptarëve viktima të regjimit komunist por procesi po ecën ngadalë. Kuvendi i Shqipërisë nuk e ka vendosur ende në axhendë miratimin e një marrëveshjeje me Komisionin Ndërkombëtar për Njerëzit e Humbur, që synon të ndihmojë vendin të krijojë kuadrin institucional dhe procedural për kërkimin dhe identifikimin e atyre që u zhdukën.

Gjithashtu, ceremonia e përkujtimit të Kampit të Tepelenës nuk kaloi pa rezistencë. Pëllumb Xhufi, një historian i epokës së komunizmit dhe politikan i periudhës së paskomunizmit bëri thirrje në mënyrë të përsëritur kundër dizenjimit të mbetjeve tyë kampit si vend historik, duke pretenduar se kushtet në kamp “nuk ishin të këqija” dhe se krahasimi i tij me kampet e përqendrimit të nazistëve ishte “një banalitet”.

/Birn/