Sot rikthehet “sherri”! Priten debate në Kuvend

460

Me fillimin e sesionit të ri parlamentar, pritet që situata politike të ndizet e për rrjedhojë paralajmërohet një klimë e nxehtë debatesh mes mazhorancës dhe opozitës. Sot në orën 17:00 do të hapet sesioni i ri i Kuvendit, ndërsa kampet politike përgatitjet do t’i nisin që në orët e para të ditës. Partia Socialiste, do të mbledhë në 9 të mëngjesit Kryesinë e Partisë, ku  përveç diskutimeve për sesionin e ri do të diskutojë  dhe rendin e ditës për Asamblenë që mbahet të  premten e 6 shtatorit, ku do të analizohet performanca e qeverisë. Ndërsa PD në orën 10 do të zhvillojë një takim me aleatët dhe grupin parlamentar. Në orën 12:00, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi do të thërrasë mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, për të diskutuar punën dhe kalendarin 3 javor.

Konferenca e Kryetarëve do të rikthejë debatin për Teatrin e ri Kombëtar, ku në bazë të programit me 13 shtator parashikohet që dekreti i Presidentit të kalojë për votim në seancën plenare.

Ky moment pritet të tensionojë marrëdhëniet mazhorancë-opozitë, ndërsa Lulzim Basha disa ditë  më parë  vendosi vijën e kuqe, duke paralajmëruar prerë PS se në qoftëse  e rikalon ligjin për Teatrin do të sjellë përplasje civile.

Në 3 javët e para, Kuvendi i Shqipërisë  parashikon shqyrtimin e 33 projektligjeve, ndërkohe që parashikohet të rrëzohet dhe dekreti tjeter i presidentit, ai për projektligjin për tatimin mbi të ardhurat.

Ndërkohë krahas ligjeve të tjera në këtë sesion parlamentar, ajo që ka rëndësi dhe që do marrë energji nga të gjitha kampet politike në tentativë për të gjetur konsensus, është reforma zgjedhore. Në shtator pritet që në tryezën e punës të hidhën propozimet konkrete, kjo pas disa tryezave konsultative me grupet e interesit.