Dështim total, policia nuk gjen asnjë autor për vrasjet tronditëse në Shkodër

1621

Një dështim i vërtetë nga ana e Policisë për të zbardhur krimet e rënda të ndodhur në 3 muajt e fundit në Shkodër.

Dështim që ka rritur mosbesimin ndaj trupës policore dhe akuzat ndaj qeverisë për paaftësi në drejtimin e policisë, hetimin dhe zbulimin e krimeve të rënda.

Qarku i Shkodrës është kthyer gjatë muajve të fundit në një prej më problematikëve sa u takon krimeve kundër njerëzve duke shënuar viktima të shumta.

Seria e vrasjeve u çel me ekzekutimin misterioz të pronarit të një servisi për makinat më 18 qershor.

Mehdi Kavaja u qëllua me plumb në kokë, ndërsa autori ende nuk është zbuluar.

Më pas erdhi ekzekutimi mafioz i ish-policit Boran Bërçanës dhe bashkëshortes së tij, Silvana Ndoci, më 15 korrik, të cilët u vranë me breshëri plumbash brenda në makinë, në një kohë kur aty ndodhej dhe djali i tyre vetëm 2 vjeç.

Edhe për këtë ngjarje, ndonëse vrasja u regjistrua nga kamerat e sigurisë, nuk ka ende asnjë të dyshuar dhe arrestuar.

Automjeti i përdorur nga autori ishte vjedhur në Kosovë, ndërsa u dogj pas vrasjes në periferi të qytetit të Shkodrës.

Vetëm pak kohë pas kësaj ngjarjeje të rëndë, erdhi vrasja e Fatbardh Licit. Në 10 gusht ai u ekzekutua me breshëri plumbash në një lokal.

Vendi i vrasjes se Fatbardh Licit

Vetëm pak ditë më pas do të ndodhte një tjetër ngjarje e rëndë.

Dajë e nip do të humbin gjurmët e tyre, pasi do të telefonoheshin nga person ende të paidentifikuar nga policia.

Gëzim Hysaj, banues në Postribë të Shkodrës dhe Agron Mollaj, banues në fshatin Dobraç kanë 10 ditë që janë të zhdukur dhe policia nuk ka asnjë pistë apo të dyshuar.

Nuk do të kalonin shumë ditë që Shkodra të tronditej sërish nga krimi.

Biznesmeni Arjan Ferracaku do të qëllohej dhe do të vritej nga një breshëri kallashnikovi.

Edhe për këtë krim që ka tronditur metropolin e veriut edhe për shkak se Ferracaku dhe familja e tij njihej si e qetë dhe pa probleme në Shkodër, policia nuk ka asnjë të dyshuar.

As më pas e as më shumë deri më tani një dështim spektakolar i Policisë së Shkodrës dhe asaj të Shtetit në përgjithësi.