Zbulimet ndryshojnë historinë antike të Durrësit, por jo projektet e infrastrukturës

695

Zbulimet arkeologjike të viteve të fundit në Durrës kanë ndikuar shumë pak për ndryshimin e projekteve të infrastrukturës vendore, por përfundimet e arritura nga arkeologët kanë sjellë mjaft risi shkencore në përfundimet e deritanishme mbi kronologjinë historike të ndërtimeve dhe të qytetit në antikitet dhe në mesjetë.

Gërmime arkeologjke në qytetin e Durrësit hedh dritë mbi të shkuarën e tij gjatë periudhës antike dhe mesjetare | Foto nga : Gëzim Kabashi

Në nëntor 2016, në sheshin përballë hyrjes qendrore të portit, bashkia e Durrësit filloi gërmimet për ndërtimin e një tende të madhe prej betoni e ngjashme me velat e anijeve me vlerë 6 milionë USD, që kishte për qëllim të bëhej monument arkitektonik ikonik i Durrësit të ri.

Sipas bashkisë projekti ‘Veliera’ synonte të simbolizonte idenë e komunitetit, por dy vjet e gjysmë më vonë ky i fundit mbetet i ndarë dhe projekti i pezulluar me vendim gjykate, pas zbulumit gjatë gërmimeve inxhinjerike të rrënojave arkeologjike që i përkasin periudhës Otomane dhe Bizantine.

Pas fortifikimeve të zbuluara gjatë punimeve pranë projektit “Veliera”, sondazhet arkeologjike në dy vitet e fundit kanë ndalur edhe në oborrin e Mauzoleut të Dëshmorëve; në lagjen 11 pranë Teatrit “Moisiu”; në afërsi të Muzeut Arkeologjik, si dhe në vijimin e dy ekspeditave të hershme në Rotondën Bizantine dhe në Amfiteatrin antik.

“Qyteti i Durrësit është i “dënuar” të bashkëjetojë me të kaluarën e vet,” shprehet arkeologu Eduard Shehi, i cili ka drejtuar disa nga sondazhet brenda qytetit.

Por zbulimet e reja nuk i kanë tkurrur ambiciet e bashkisë së Durrësit për projekte infrastrukturore në zonën arkeologjike A dhe B. Për momentin kjo e fundit po pret përgjigjen e Këshilli Kombëtar të Arkeologjisë, për dy projekte që prekin shtresat e qytetit antik, njëri pranë Mauzoleumit të Dëshmorëve dhe tjetri në krah të Muzeut Arkeologjik

Arkeologu durrsak prof. Eduard Shehi | Foto nga : Gëzim Kabashi

Që prej 25 vjetësh në Durrës nuk ka shpëtuar i plotë asnjë monument i gjetur gjatë gërmimeve të shumta, kryesisht për ndërtimin e godinave shumëkatëshe të banimit. Këto të fundit kanë prekur edhe zonën A të rrezikut arkeologjik, që përfshin sipërfaqen e Durrësit të vjetër, siç njihet territori nga porti detar deri te Pallati i Sportit.

Zonat arkeologjike, në varësi të intensitetit dhe rëndësisë së gjetjeve arkeologjike, kategorizohen në zona “A”dhe zona “B”. Zonifikimi miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, sipas propozimit të ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore. Në zonat arkeologjike “A” është e ndaluar çdo lloj ndërhyrjeje me karakter ndërtimor, ndërsa në zonat arkeologjike “B” lejohen ndërtimet e reja në rastet e përcaktuara në rregulloren e administrimit të këtyre zonave, pas miratimit nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë.

Megjithatë, ndërsa politikëbërësit vazhdojnë të tregojnë ndjeshmëri të ulët ndaj gjetjeve arkeologjike përballë interesave ekonomike, arkeologët po i përdorin të dhënat e përftuara nga sondazhet dhe gërmimet për të rishkruar historinë e qytetit antik.

Sipas arkeologut Eduard Shehi mjaft nga të dhënat e përftuara nga gërmimet e fundit, të cilat kanë ndryshuar konceptin mbi muret fortifikuese, mbi kufijtë e qytetit të hershëm si dhe mbi qendrën antike dhe mesjetare të Durrësit tashmë janë dërguar për botim në revistat shkencore “Iliria” dhe “Monumentet”.

Koncepti i periudhës së ndërtimit si dhe qëllimit që kanë pasur muret fortifikuese të ngritura shekuj më parë në bregdetin e Durrësit, është sqaruar falë sondazheve që u kryen kur nisi zbatimi i projektit “Veliera” në kryqëzimin pranë portit detar.

Prof. Shehi shton se jo vetëm fortifikimet, por edhe kullat e qytetit datojnë si ndërtim në periudha të tjera, përballë përfundimeve të deritanishme të autorëve vendas. Historianët do të kenë në dorë të dhëna të reja lidhur me këtë pjesë të qytetit mesjetar, i cili duhet të përballej me rreziqet që vinin nga deti jo vetëm me artilerinë, por edhe me muret e fuqishme mbrojtëse.

Shehi tashmë po studion hollësisht të gjithë muret kufizuese të qytetit, jo vetëm në anën e bregdetit, por edhe në zonën kodrinore dhe urbane.

Gërmimet arkeologjike në Durrës pranë Forumit Rrethor, të njohur si Rotonda | Foto nga : Gëzim Kabashi

Ndërkohë, kolegia e tij Prof. as. Brikena Shkodra këto ditë ka mbyllur ciklin e dytë të gërmimit në oborrin e një shtëpie në lagjen 11, zonë që kufizohet nga godina e teatrit “Moisiu” deri në rrugën e Dëshmorëve.

Shumë pranë saj, një shekull më parë ushtarakët austro-hungarezë zbuluan mozaikun e njohur me emrin “Bukuroshja e Durrësit”, e që tani zbukuron hyrjen e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë. Ndërsa para 15 vjetësh arkeologët durrsakë po në këtë zonë nxorën në dritë monumentin e Geas, perëndeshës së pjellorisë, që u vendos në hyrje të Muzeut Arkeologjik të Durrësit.

Brikena është e bindur se ka zbuluar dyshemenë prej mermeri të një godine madhështore, e cila i përket fundit të periudhës Perandorake. Në një thellësi gërmimi prej afro 4 metra ajo tregon kolonat anësore si dhe elementet që i përkasin hipokaustit, një prej mjediseve të Termave, shtruar me pllaka mermeri brenda godinës. Bashkë me termat e periudhës romake, në themelet e pallatit të Kulturës , banjat antike të kësaj godine e çojnë në 6 numrin e termave të zbuluara në Durrës.

“Unë besoj se bëhet fjalë për një godinë me funksion publik, pikërisht në kohën kur qendra e qytetit në mesjetën e hershme zhvendoset nga ajo pranë sheshit “Liria” ku ndodhet përsëri edhe sot, drejt zonës së lagjes aktuale nr 11,” tha arkeologia për BIRN.

Brikena synon që të kryejë një sondazh tjetër në verën e vitit të ardhshëm, me synim përcaktimin e përmasave të plota të godinës antike dhe kjo falë mirëkuptimit që ka gjetur nga familjarët që zotërojnë shtëpinë me oborr ku po kryhet sondazhi.

“Për dy vjet radhazi znj. Luljeta Dakoli, e zonja e kësaj shtëpie më ka hapur dyert, duke mundësuar edhe punimet në thellësi,” shprehet prof. dr. Brikena Shkodra, e cila vetëm gjatë këtij viti ka qenë pjesë e disa misioneve arkeologjike në Durrës dhe në Kepin e Rodonit.

Ndërkaq, dy nga projektet madhore të infrastrukturës, siç i konsideron bashkia e qytetit, atë me emër “Veliera” pranë portit të Durrësit me vlerë të përgjithshme 6 milion USD, si dhe projektin për ndërtimin e godinave të reja të gjykatës dhe prokurorisë, janë pezulluar përkohësisht.

Në janar të këtij viti Gjykata Administrative bllokoi punimet për përfundimin e “Velierës”, siç thirret rëndom projekti “Vela” i bashkisë së qytetit bregdetar pranë hyrjes së portit, ndërsa ende nuk ka një vendim përfundimtar juridik, pavarësisht nga ndryshimet në projekt që u paraqitën nga bashkia për t’i mbrojtur rrënojat.

Ndërkaq, 6 muaj më parë, kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako u pohoi mediave se edhe zbatimi i projektit “Drejtësia” në oborrin e Mauzoleut të Dëshmorëve do të shtyhet përkohësisht, deri kur të dalin rezultatet e sondazheve që do të iniciojë Ministria e Kulturës dhe Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë.

Një vendim përfundimtar nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë pritet edhe për furrat e zbuluara një vit më parë në afërsi të Muzeut Arkeologjik të qytetit bregdetar. Pasi ka vendosur ruajtjen e njërës prej tre furrave antike të zbuluara si dhe ekspozimin e dy të tjerave pranë saj, KKA duhet të vendosë edhe për të ardhmen e godinës 5-katëshe që duhet ndërtuar në këtë territor.

Gërmimet arkeologjike në Durrës, si dhe në fshatrat në veri të tij në vitet e fundit jo vetëm janë shtuar, por kanë tërhequr edhe vëmendjen e qytetarëve dhe vizitorëve vendas dhe të huaj.

“Është shumë tërheqëse të ndjekësh punimet e arkeologëve, sidomos në afërsi të monumenteve të njohura, siç janë Forumi Rrethor, I njohur si Rotonda, apo pranë galerive të Amfiteatrit,” shprehet Albana Gojani, që punon si guidë turistike, ndërsa kujton se më parë kishte raste të kantiereve me specialistë, që mbaheshin të mbyllura për shikuesit.

Në Rotondën pranë qendrës së qytetit arkeologët shqiptarë dhe francezë të universitetit të Lionit janë rikthyer pas një mungese 15-vjeçare.

“Brenda tre javësh specialistët kanë arritur në periudhë kronologjike deri në shek e 5 para Krishtit, dhe shtresëzimi ka dëshmuar një ecuri të pandërprerë dhe shumë të ndërlikuar të jetës në qytet,” shpjegon Eduard Shehi.

Megjithatë, ai shton se qëllimi i arkeologëve është tjetër, të gjejë lidhjet e monumentit të antikitetit të vonë me struktura më të hershme.

“Pra të kuptojmë se si ka evoluar qyteti deri në ndërtimin e monumentit të antikitetit të vonë,” përfundoi arkeologu.