Presidenti i Republikës, Ilir Meta ishte sot në Shkodër, pjesë e nismës së ndërmarrë “Aleanca për Dhurimin e Gjakut.
Në fjalën e tij kreu i shtetit ka falenderuar kryetaren e Bashkisë, Voltana Ademi njëkohësisht edhe kryetare e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, e cila bashkarisht me qytetarët shkodranë, iu përgjigjën që në fillim e në mënyrë konkrete thirrjes së kreut të shtetit dhe të “Aleancës për Dhurimin e Gjakut”.
“Ju falënderoj për këtë seancë dhurimi gjaku në Bashkinë e Shkodrës, pikërisht në këto ditë të nxehta gushti kur ka nevojë më shumë se asnjë herë tjetër, për të mbajtur procesin e dhurimit të gjakut në parametra normalë. Jam i bindur që do të kemi edhe shumë seanca të tjera në vazhdimësi në mënyrë që të krijojmë një traditë të qëndrueshme dhe pozitive. Dhurimi i gjakut është një proces 100% i sigurtë dhe një proces tepër i shëndetshëm, sidomos për të rinjtë dhe për të rejat, që unë besoj se do të bëhen edhe promovuesit kryesorë të kësaj Aleance dhe të këtij solidariteti mbarëshoqëror.”
Gjithashtu Meta vuri në dukje se qëllimi kryesor i Aleancës është që në vitin 2020 ne të arrijmë atë objektiv të vendosur edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, që dhurimi i gjakut të jetë një proces tërësisht i garantuar në mënyrë vullnetare dhe një proces i stabilizuar e afatgjatë.