Gjykata e Gjirokastrës lë në burg ‘të fortin’ e Shkodrës, Lulzim Kulla

696

Gjykata e Shkallës së Parë në Gjirokastër lë në burg Lulzim Kullën, i njohur si i ‘forti’ i Shkodrës.

Kulla u arrestua pak ditë më parë në Kakavijë, pasi tentoi që të kalonte në Greqi me një pasaportë të falsifikuar. Ai rezulton se në korrik të vitit 2014 është pajisur me një pasaportë me të dhëna të falsifikuara. 43-vjeçari ka aplikuar me shenjat e gishtërinjve dhe fotografinë e tij, por me emrin Alfons Deda, për pasaportë në Durrës, duke përdorur kështu identitetin e një personi tjetër. Pasi Kulla ka tërhequr pasaportën, nga verifikimet e kryera ka rezultuar se të dhënat e tij nuk përkojnë me identitetin e dhënë. Kulla u vu në qendër të vëmendjes së publikut në janar të këtij viti, kur u bë objekt i një atentati me tritol në qytetin e Shkodrës.

Rreth 500 gramë C4 u vendos në një motoçikletë të parkuar afër fuoristradës së tij, ndërsa shpërthimi i shkaktoi djegie në 25 për qind të trupit. Në atë kohë, Kulla deklaroi për Policinë se “nuk i njihte autorët dhe nuk kishte dyshime se kush mund ta kishte vendosur tritolin”.

Gjithashtu emri i tij është i njohur për shkak të së kaluarës së tij, pasi e shkuara e tij lidhet me disa ngjarje kriminale, por që në fund nuk është dënuar. 43-vjeçari ka pasur dalje të rralla, ndërsa tentoi të kalonte kufirin me identitet të rremë pa qenë në dijeni se prej 4 vitesh identiteti i vjedhur ishte pjesë e sistemit TIMS.